Lidhje

Presidenti Bush po ndjek nga afër zhvillimet në Irak - 2004-04-10


Presidenti Bush po ndjek nga afër zhvillimet në Irak nga ferma e tij në Crawford të shtetit Texas. Ky është një pushim pune për president, duke u përqëndruar në aktet e dhunës në Irak.

Ndihmësit e tij thanë se presidenti e kaloi ditën e djeshme duke u këshilluar në telefon ose konferenca satelitore me udhëheqësit e vendeve të tjera të koalicionit dhe me ekipin e tij të sigurimit kombëtar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se zoti Bush e filloi ditën e djeshme me telefonata me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, presidentin polak, Aleksandër Kvaznjevski, dhe me presidentin e Salvadorit, Francisko Flores.

Zoti McClellan tha se telefonatat u përqëndruan në gjendjen në Irak. Ai shtoi se katër udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre për të ndihmuar popullin irakian që të krijojë një Irak të lirë dhe demokratik. Ai tha se ata u zotuan gjithashtu për mposhtjen e elementëve ekstremistë, siç u shpreh zëdhënësi, të cilët duan të pengojnë kalimin e vendit drejt demokracisë nëpërmjet dhunës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk dha hollësi të tjera, veçse tha se presidenti Bush i shprehu ngushëllime presidentit Flores për vdekjen kohët e fundit të një ushtari salvadorian në Irak.

Më vonë po dje, presidenti Bush zhvilloi një takim me Këshillin e tij të Sigurimit Kombëtar gjatë të cilit pjesëmarrësit u lidhën nëpërmjet një sistemi të sigurtë satelitor. Zëdhënësi McClellan u tha gazetarëve se zoti Bush u informua rreth operacioneve më të fundit ushtarake, përfshirë përpjekjet për të mposhtur milicinë e kryesuar nga kleriku radikal shiit, Maktada al-Sadër. Një çështje tjetër diskutimi ishte edhe mundësia e veprimtarive terroriste gjatë peligrinazhit të shiitëve në Irakun jugor.

Në këtë takim morrën pjesë sekretari i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, sekretari i shtetit Colin Powell, drejtori i Agjencisë Qëndrore të Zbulimit, George Tenet, gjeneralë të lartë nga tereni si dhe zyrtari më i lartë amerikan në Irak, Paul Bremer, i cili kryeson autoritetin e koalicionit.

Gjithashtu në këtë takim nga Washingtoni mori pjesë edhe këshilltarja e presidentit për sigurimin kombëtar, Condoleezza Rice, e cila dëshmoi të enjten para komisionit të pavarur që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Zonja Rice do ta kalojë fund javën e Pashkëve me familjen Bush në Crawdord të Texasit.

//ze//

XS
SM
MD
LG