Lidhje

Shqipëri: Polemika mes Ministrit të Rendit dhe një ish-drejtuesi kryesor të policisë - 2004-04-10


Një nga ish-drejtuesit kryesorë të policisë shqiptare Pjerin Ndreu është akuzuar të shtunën ashpër nga ministri i Rendit Igli Toska. Me anë të një komunikate ministria ka njoftuar se ndaj zotit Ndreu është rihapur cështja penale për dhënie pasaportash personave që kanë qenë në kërkim, në kohën që drejtonte komisariatin e Gjirokastrës si dhe po hetohet për një tjetër çështje.

Reagimi i ministrisë vjen një ditë pas një shkrimi të botuar nga Ndreu në një nga të përdishmet shqiptare ku ai kritikonte shkarkimet e fundi të bëra nga ministri. Ndreu dha të shtunën dorëheqjen nga strukturat e policisë.

Disa dhjetra drejtues policie të të gjitha rangjeve janë shkarkuar apo larguar përfundimisht nga radhët e policisë që prej ardhjes së ministrit Igli Toska në krye të rendit. Ditët e fundit ai lëvizi drejtuesit e policisë kriminale, mes të cilëve Sokol Bizhgën , njeriun që drejtoi operacionin antitrafik në fillim të këtij viti që solli sekuestrimin e dhjetra bareve, restoranteve motoskafeve dhe pronave të tjera të trafikantëve shqiptarë.

Fshesa e ndërmarrë nga ministri i Rendit Igli Toska për pastrimin e radhëve të policisë nuk po ndalet vetëm në shkarkime apo largime nga detyra. Të shtunën ministria e rendit njoftoi se prokuroria e Gjirokastrës ka rihapur një çështje penale ndaj kryekomisar Pjerin Ndreut.

Ndreu ka qenë nëndrejtor i përgjithshëm i policisë shqiptare, drejtues i operacionit Puna kundër trafikut të klandestinëve dhe deri para pak muajsh drejtues i policisë së kryeqytetit. Sipas ministrisë së Rendit Ndreu akuzohet se ka shpërndarë në kohën që drejtonte komisdariatin e Gjirokastrës 350 pasaporta, të cilat u janë dhënë personave që nuk kanë qenë banor të atij qarku madje edhe atyre që kanë qenë në kërkim nga Drejtësia.

Shërbimi i brendshëm i ministrisë po hetohen edhe për përfshirjen e Ndreut në një tjetër cështje ku ai ka lejuar pjesmarrjen në një operacion policie të një personi civil dhe e ka pajisur atë me armë. Po ashtu sipas ministrisë më shumë se gjysma e gradave që Ndreu ka nënshkruar janë anulluar si të pabazuara në ligj.

Reagimi i ministrisë erdhi një ditë pas një artikulli të botuar nga Ndreu në një të përditshme shqiptare ku ai kritikonte shkarkimet e bëra nga ministri. Të shtunën Ndreu i hodhi poshtë akuzat e bëra ndaj tij. Ai deklaroi se ka dhënë dorëheqjen nga strukturat e policisë shqiptare dhe akuzoi drejtuesit e ministrisë se përfaqësuesit e organizatave kriminale po diktojnë emërimet në funksione të larta të Rendit.

Minisri Igli Toska në deklaratën e shpërndarë për shtypin është shprehur se një e kaluar specialisti qoftë edhe e mirë nuk e rehabiliton pjesën e papastër të së kaluarës ose të tashmes të cilitdo person. Statusi i specialistit të mirë, ka deklaruar Toska nuk garanton imunitet për veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin. //kk//

XS
SM
MD
LG