Lidhje

Në Tiranë, socialistët rihapin debatin mbi reformat zgjedhore - 2004-04-10


Partia Socialiste u përpoq sot të rigjallërojë debatet për reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE-së për të përmirësuar procesin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Sekretari për probleme zgjedhore, Elmaz Sherifi, tha se PS po studion me vëmendje tre raportet e fundit ndërkombëtare për Shqipërinë; raportin e OSBE, raportin e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut, dhe atë të Bashkimit Europian.

Ai tha në një konferencë shtypi se PS është e gatshme të nisë diskutimet me opozitën për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe për t’i bërë ndryshimet shumë kohë para zgjedhjeve e të mos lërë ato për ditët e fundit.

“Partia Socialiste deklaron vullnetin e saj politik se do të jetë bashkëpunuese në këtë proces me forcat e tjera politike, përmes angazhimit të një grupi ekspertësh, që së bashku me ata ndërkombëtarë, të bëjnë formulimet e nevojshme në dispozitat e Kodit Zgjedhor, për ta sjellë atë në përputhje me Kushtetutën dhe me standartet e legjislacionit ndërkombëtar për zgjedhje të lira” - tha zoti Sherifi.

Ndërsa opozita, krahas tubimeve me moton “Nano, Ik!”, u angazhua edhe këtë fundjavë të denoncojë dyshimet për korrupsion të zyrtarëve, kësaj radhe në fushën e naftës. Edmond Spaho i departamentit ekonomik të PD, i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të hapë hetime mbi dyshimet për abuzimet me fondet shtetërore të përdorura në një tender për blerje nafte. Ai tha se kompania shtetërore e naftës, ARMO, nuk mori pjesë në tenderin për furnizimin e ministrive dhe institucioneve për të favorizuar firmat private, duke dëmtuar financat e ndërmarrjes në prag të privatizimit.

“Falimentimi në prag të privatizimit është strategjia që ndjek qeveria aktuale për privatizimin e sektorëve strategjikë, për t’i shitur më pas ndërmarrjet me cmime qesharake, sic po ndodh në Telekom, INSIG dhe ndonjë ndërmarrje tjetër. Kjo strategji po ndiqet edhe me ARMO” - tha zoti Spaho.

Ndërkaq socialistët e rimorën edhe një herë idenë për një formulë më të thjeshtë vendimmarrëse në komisionet zgjedhore. Sipas sekretarit të PS për probleme zgjedhore, Elmaz Sherifi, propozohet që KQZ dhe komisionet e tjera të mund t’i marrin vendimet me shumicë të thjeshtë të anëtarëve 4-3, dhe jo më si deri tani me shumicë të theksuar 5-2. Votimi i deritanishëm është vërejtur nga ekspertët ndërkombëtarë se është përdorur nga komisionerët militantë si një mjet bllokimi.

Por demokratët e opozitës shprehen se vendimmarrja në komisione nuk është një cështje kryesore. Ilirian Rusmajli në departamentin juridik të PD, thotë se kjo ide është diskutuar dhe është mirëpritur edhe më parë, por problem kryesor mbetet njëanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që dëmton gjithë procesin zgjedhor.//ii

XS
SM
MD
LG