Lidhje

Komisioni ”11 shtatori” dhe dokumenti i Shtëpisë së Bardhë - 2004-04-11


Dy anëtarë të komisionit dypartiak që po heton rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara e përshëndetën vendimin e Presidentit Bush për të bërë publik një dokument që i ishte paraqitur atij një muaj përpara sulmeve. Në dokument flitet për informacionet e zbulimit lidhur me një goditje të mundëshme brenda Shteteve të Bashkuara nga ana e rrjetit të Osama bin Ladenit, al-Qaida. Korrespondentja jonë Stephanie Ho na jep hollësitë.

Dokumenti, i bërë publik të shtunën titullohet "Bin Ladeni i Vendosur të Godasë në Shtetet e Bashkuara."

Richard Ben-Veniste, anëtar i të ashtuquajturit Komision i 11 shtatorit, që po përpiqet të sqarojë nëse sulmet mund të ishin parandaluar, i tha emisionit televiziv "Fox News" se sipas tij, autori i dokumentit ishte përpjekur t’ia bënte të qartë presidentit se ekzistonte mundësia që brenda Shteteve të Bashkuara të ndërmerreshin sulme terroriste.

”Ky është një informacion i rëndësishëm dhe duket parë në kontekstin e kërcënimeve të asaj vere. Agjencitë tona të kundërzbulimit kishin grumbulluar një sasi të jashtëzakonshme kërcënimesh të cilat tregonin se diçka e madhe do të ndodhte së shpejti.”

Zoti Ben-Veniste thotë se një shqetësim që dilte pasi kishte lexuar dokumentin ishte se dy agjencitë kryesore amerikane të zbulimit, FBI-ja dhe CIA, duket se nuk komunikonin me njëra-tjetrën.

”Gjatë viteve ka patur mjaft probleme. F-B-I-ja and the C-I-A nuk flisnin me njëra-tjetrën. Të gjithë e dinin këtë. Çështja ishte nëse ekzistonte ndonjë mënyrë që ato të komunikonin. Dhe e vetmja mënyrë ishte përmes udhëheqjes kryesore, e cila duhet t’i bënte ato të diskutonin problemet dhe të uleshin në të njëjtën tryezë.”

Anëtari tjetër i komisionit 11 shtatori Slade Gorton veçoi FBI-në në kritikat e tij. Ai tha se ngjarjet e fundit historike në Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të vështirë Shtëpisë së Bardhë që të ketë kontroll të drejtpërdrejtë mbi FBI-në. Zoti Gorton tha se ky përfundim u arrit gjatë intervistave me dyer të mbyllura të bëra javën e kaluar me ish Presidentin Bill Clinton.

Z. Gorton tha se ishte sidomos interesant fakti që dokumenti i publikuar të shtunën u referohej 70 hetimeve në terren të bëra nga FBI-ja lidhur me veprimtaritë ku dyshohej se kishte gisht Osama bin Ladeni.

”Kjo duhet të kishte një farë efekti qetësues për njeriun që e lexonte atë për herë të parë. Unë nuk e di se ku janë bërë konkretisht këto 70 hetime. Dhe pikërisht këtu do të përqendrohen dëshmitë e komisionit gjatë javës në vazhdim,” tha zoti Gorton.

Komisioni ishte në qendër të vemendjes javën e kaluar, kur këshilltarja e sigurimit kombëtar Condoleezza Rice dëshmoi publikisht lidhur me mënyrën se si veproi administrata Bush pas sulmeve të 11 shtatorit. Shumë nga pyetjet që iu drejtuan asaj kishin të bënin me dokumentin që u bë publik të shtunën.

Dëshmia e saj erdhi pas pohimeve të bëra nga ish shefi i Shtëpisë së Bardhë për luftën kundër terrorizmit, Richard Clarke, i cili i kishte deklaruar komisionit publikisht se administrata e bëri terrorizmin një përparësi urgjente vetëm pas 11 shtatorit.

Komisioni do të mblidhet të martën dhe të mërkurën dhe do të përqendrohet tek puna e agjencive të antikrimit dhe kundërzbulimit. Midis atyre që do të pyeten do të jenë drejtuesit e tanishëm dhe të kaluar të CIAs dhe të FBI-së.//ii

XS
SM
MD
LG