Lidhje

Presidenti egjiptian në Shtëpinë e Bardhë - 2004-04-12


Presidenti Bush u takua me presidentin egjiptian Hosni Mubarak për bisedime rreth Irakut, luftës kundër terrorizmit dhe rigjallërimit të procesit izraelito-palestinez të paqes. Presidenti Bush tha se bisedimet në fermën e tij në Texas u përqendruan te përpjekjet për ta bërë Lindjen e Mesme një rajon më paqësor. Zoti Mubarak tha se ata kishin zhvilluar bisedime të sinqerta për një gamë të gjerë çështjesh. Dy udhëheqësit thanë se kishin diskutuar mbi planin e kryeministrit izraelit Ariel Sharon për një tërheqje të njëanëshme të Izraelit nga 21 vendbanime hebraike në Rripin e Gazës. Dy udhëheqësit thanë se do ta mirëprisnin çdo tërheqje izraelite nga territoret palestineze në kontekstin e planit ndërkombëtar të paqes për Lindjen e Mesme.

Ish-ambasadori amerikan William Rugh, i cili ka shërbyer në disa vende të Lindjes së Mesme, thotë se klima e bashkëpunimit aktual midis Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit merr një rëndësi të veçantë.

"Marrëdhëniet midis dy vendeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ata kanë nevojë për ne, si superfuqia e vetme, që përpiqet të ndihmojë për probleme e rajonit dhe ne kemi nevojë për ta, si vendi kryesor që ka qenë dhe ndoshta do të jetë gjithmonë në botën arabe", -thotë ambasadori Rugh.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Robert Pelletreau thotë se vizita e presidentit Mubarak bëhet në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta dhe vlerësimi për Shteteve të Bashkuara ka rënë. "Shohim një shtim të zemërimit në radhët e opinionit egjiptian që shkaktohet pjesërisht nga ato politika amerikane të cilat nuk marrin sa duhet mendimin e qeverive ose të personaliteteve të rajonit, pra që nuk marrin parasysh pikpamjet e vendeve të tjera në formulimin e politikave tona. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për korrigjimin e kësaj, thotë ish nënsekretari i shtetit".

Përndryshe, thotë zoti Pelletreau, do të keqësohen marrëdhënet me Egjiptin, një partner, për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë nevojë, në mënyrë që të arrijnë objektivat e tyre në Lindjen e Mesme. Ambasadori egjiptian në Shtetet e Bashkuara, Nabil Fahmy, thotë se bashkëpunimi midis dy vendeve është tepër i rëndësishsëm. "Vemë re një konkurrencë midis fanatikëve për të vënë pyka midis botës prëndimore dhe asaj myslimane arabe. Ne duhet të angazhohemi për një partneritet edhe më të fuqishëm për t’u treguar vendin atyre që duan të venë pyka midis civilizimit perëndimor nga njëra anë dhe Lindjes së Mesme e botës arabe në anën tjetër", -thotë ambasadori egjiptian.

Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, si vrasja e udhëheqësit ekstremist palestinez, sheik Ahmed Yassin nga ana e Izraelit, kërcënojnë imazhin e Shteteve të Bashkuara në një rajon, ku këto të fundit duan të nxisin demokracinë, të luftojnë terrorizmin dhe ta venë në vijë procesin e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ja ç’thotë Samer Shehata, studiues në Universitetin Georgetown të Uashingtonit: "Sa herë që Izraeli vret dikë, siç ishte për shembull vrasja e sheikut Jasin, natyrisht që populli i Egjiptit reagon negativisht. Dhe ai reagon negativisht jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, për arsye se Amerika shihet si vend që e mbështet plotësisht Izraelin".

Zoti Shehata thotë, se nëse Shtetet e Bashkuara përpiqen në mënyrë më aktive për zgjidhjen e konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve, nëse ato shihen si një ndërmjetës i më paanshëm, marrëdhëniet me botën arabe do të përmirësoheshin. Ndihmës-zëvendës Sekretari i Shtetit David Satterfield mbetet optimist për të ardhmen.

"Asnjëherë nuk ka qenë më i rëndësishëm partneriteti midis këtyre dy vendeve, si për rajonin edhe për botën. Dhe duke patur këtë parasysh, ne presim shumë nga takimi i presidentit Mubarak me presidentin Bush në Teksas. E dimë se kjo do të jetë një vizitë e suksesshme" tha zoti Satterfield.

Por, megjithë optimizmin e zotit Satterfield, ka të paktën një çështje, e cila mund të shkaktojë fërkim midis dy udhëheqësve: reforma demokratike në botën arabe. Presidenti Bush po punon për një nismë, e cila kërkon pikërisht një reformë të tillë, dhe që ai ka në plan ta paraqesë në takimin e vendeve të industrializuara. Zoti Mubarak dhe disa udhëheqës arabë thonë se kjo është një ndërhyrje në politikën e tyre të brendshme. Mosmarrëveshjet rreth përgjigjes ndaj këtij propozimi ndikuan në shtyrjen kohët e fundit të një takimi të planifikuar të nivelit të lartë midis vendeve arabe.

//rd//

XS
SM
MD
LG