Lidhje

Sot, zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - 2004-04-14


Interesi i votuesve duket se nuk është ashtu siç pritej në këto zgjedhje presidenciale; ka gjasa të jetë më i ulët se kurdoherë në zgjedhjet që ka patur Maqedonia që nga pavarësia e saj. Megjithatë, bëhet e ditur se shifra e kalon 50 përqindëshin e atyre që kanë votuar.

Sipas njoftimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri pasdite, pak mbi 26 përqind e votuesve kanë dalë në zgjedhje. Jehona më e madhe e votimit është në një qytetzë të Maqedonisë lindore, ku deri në orët e pasdites kishin votuar 41 % e votuesve. Ndërsa, në Tetovë është shënuar dalja më e vogël e votuesve në zgjedhje, vetëm 6% deri pasdite, sipas Komisionit, megjithëse zyrtarë të partive shqiptarte thonë se kjo e dhënë është shumë e hershme dhe se shifra është ngritur mjaft.

Siç dihet, mbi pesëdhjetë përqind e votuesve duhet të dalin në zgjedhjet e sotme në mënyrë që ato të jenë të vlefshme. Në të kundërtën, zgjedhjet presidenciale në Maqedoni duhet të përsëriten pas gjashtë muajsh dhe sipas analistëve, vendi mund të rrëshqasë drejt një krize institucionale.

Gjatë zgjedhjeve, gjithashtu ka patur disa incidente të vogla, që nuk e kanë penguar procesin e votimit. Në fshatin Tenovë të Tetovës ka patur një incident fizik, si dhe në shkollën ”Migjeni” të qytetit të Tetovës, e cila është shndërruar në vend-votim. BDI ia hedh fajin aktivistëve të PDSH për këto incidente. Ndërsa PDSH pohon të kundërtën. Parregullsi janë shënuar edhe në fshatrat Moranë e Buzallakovë të Shkupit dhe Velesit.

Partia VMRO-DPMNE thotë se në një lagje të Shkupit të banuar me romë, vëzhguesit e kësaj partie janë mbajtur peng nga persona të armatosur. Por këtë nuk e ka konfirmuar deri pasdite ndonjë burim i pavarur.

Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut ODIHR, ka dërguar rreth 300 vëzhgues për këto zgjedhje presidenciale. Vëzhguesit vijnë nga shtatëmbëdhjetë vende të ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian. Shumica e tyre janë shpërndarë nëpër rajonet veriperëndimore të vendit, të njohura si rajone të ish-krizës së vitit 2001.

Vëzhguesit e ODIHR-it do ta paraqesin nesër raportin e tyre mbi procesin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni.

Rezultatet e para, si zakonisht do të mësohen nga shtabet e katër partive qysh sonte(të mërkurën) rreth mesnate, rezultatet jozyrtare do të shpallen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve 24 orë pasi të mbyllen kutitë e votimit dhe rezulatet zyrtare pas tre ditësh.// lk //

XS
SM
MD
LG