Lidhje

Presidenti Bush: SHBA-të vendosura për vazhdimin e kursit në Irak - 2004-04-14


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të vazhojnë kursin e tyre në Irak për vendosjen e paqes dhe demokracisë, pavarësisht nga shpërthimet e dhunës ditët e fundit. Presidenti e shfrytëzoi konferencën e shtypit të transmetuar mbrëmë nga televizioni në mbarë vendin për të theksuar se është i gatshëm të dërgojë forca shtesë, në se komandantët ushtarakë e kërkojnë një gjë të tillë.

Ndërkohë që dhuna në Irak po shtohet dhe imazhe shqetësuese po mbërrijë në brigjet e Amerikës, Presidenti tha se gjithkush duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë kursin e tyre në Irak.

Zoti Bush e hapi konferencën e tij të shtypit, duke thënë se donte t’i fliste hapur popullit amerikan rreth gjendjes në Irak dhe sfidave që paraqet ajo.

"Tani ka ardhur koha dhe Iraku është vendi në të cilin armiqtë e botës së qytetërur po shikojnë vendosmërinë e saj. Ne nuk duhet të lëkundemi aspak."-tha Presidenti.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të koalicionit do t’i përmbahen angazhimit të tyre për t’i kthyer sovranitetin Irakut më 30 qershor. Zoti Bush theksoi se ata do të vazhdojnë të punojnë për sigurinë e nevojshme në atë vend, për të garantuar vendosjen e demokracisë, duke vënë në dukje se atje do të dërgohenmë shumë trupanë ditët dhe muajt e ardhshëm.

"Komandatët tanë në terren kanë autoritetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur dhunës dhe do ta bëjnë një gjë të tillë me vendosmëri. Pikërisht këtë duan edhe pjesa dërrmuese e irakianëve. Ata duan siguri në mënyrë që të përparojnë drejt një shoqërie të lirë,"- tha presidenti.

Presidenti Bush tha se shpërthimet e dhunës ditët e fundit nuk janë as luftë civile dhe as kryengritje. Ai shtoi se ato janë përpjekje të një lufte për të rrëmbyer pushtetitn nga elementë që duan largimin e forcave të koalicionit, pasi i tremben lirisë dhe reformave në Lindjen e Mesme.

"Një armik i dëshpëruar është edhe i rrezikshëm, dhe puna jonë mund të vështirësohet edhe më shumë para se misioni ynë të marrë fund. Askush nuk mund të parashikojë të gjitha rreziqet që kemi përpara, apo koston e tyre. Por në këtë konflikt nuk ka alternativë më të sigurtë se veprimi i vendosur",-tha Presidenti.

Presidenti Bush theksoi se një Irak i lirë është pjesë dhe kusht për fitoren e luftës kundër terrorizmit:

"Një Irak i lirë do të tregojë se Amerika është në anën e myslimanëve që duan të jetojnë në liri, siç e kemi treguar në Kuvait dhe Kosovë, Bosnjë dhe Afganistan. Një Irak i lirë do t’i dëshmojë botës se Amerika i përmbahet angazhimeve të saj. Mposhtja e dhunës në Irak ka rëndësi jetike për mposhtjen e dhunës dhe terrorit gjetkë, prandaj ka rëndësi jetike për sigurinë e popullit amerikan",- tha Presidenti.

Të gjitha pyetjet në konferencën një-orëshe me gazetarët u përqendruan në dy çështje: Iraku dhe përgjigja e Presidentit ndaj terrorizmit para sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Pikërisht këto dy çështje janë bërë baza e fushatës së Presidentit për t’u rizgjedhur. Pyetjes së një gazetari, nëse ndjekja e një politike të tillë do të ishte e vlefshme edhe nëse do t’i kushtonte atij humbjen në zgjedhje, Presidenti iu përgjegj:

"Nuk kam ndërmend të humbas punën. Qëllimi im është t’i them popullit amerikan se unë kam një plan për të fituar luftën kundët terrorit. Dhe kam besim se populli amerikan do të qendrojë me mua",- tha Presidenti

Kjo ishte konferenca e parë zyrtare e shtypit, që presidenti ka dhënë në mbrëmje në më shumë se një vit dhe për më tepër në një periudhë veprimtarie intensive diplomatike, jo vetëm për Irakun, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.// lk //

XS
SM
MD
LG