Lidhje

Një peng italian vritet në Irak - 2004-04-15


Kryengritësit në Irak vranë njërin prej 4 pengjeve italiane që ata rrëmbyen kohët e fundit.

Ministri i jashtëm Franco Frattini konfirmoi vrasjen e 36 vjeçarit Fabricio Kuatroçi, një prej 4 rojeve italiane të sigurimit, të cilët u rrëmbyen të hënën në Irak. Ai tha se ambasadori italian në Doha e kishte parë vrasjen në video kasetë. Ministri i jashtëm italian, Franco Frattini konfirmoi vrasjen disa orë pasi rrjeti televiziv Al-Xhazira njoftoi se kishte marrë një video-kasetë nga rrëmbyesit në të cilën tregohej vrasja.

Rrjeti televiziv arab Al-Xhazira e njoftoi me anë të një mesazhi nga rrëmbyesit, një grup që e quan veten Batalioni i Gjelbërt. Mesazhi përfshinë edhe një kërcënim se në qoftë se Italia nuk përmbushte kërkesat e këtij grupi, edhe 3 pengjet e tjerë do të ekzekutohen.

Rrëmbyesit kishin kërkuar tërheqjen e trupave italiane nga Iraku, një ndjesë zyrtare nga kryeministri italian Silvio Berluskoni për fyerjen e Islamizmit nga Italia si dhe lirimin e të gjithë të arrestuarve fetarë në Irak.

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi tha se kjo vrasje nuk do të ndryshojë përpjekjet e vendit të tij në Irak. Duke reaguar ndaj lajmit të vrasjes, kryeministri Berluskoni deklaroi: “Ata i dhanë fund një jete, por ata nuk kanë tronditur vlerat tona të angazhimit ndaj paqes.”

Fjalët e tij me sa duket tregojnë angazhimin e Italisë për të vazhduar misionin në Irak.

Italia ka rreth 3 mijë ushtarë të dislokuar në qytetin Nasirjah në Irakun jugor, të cilët marrin pjesë në përpjekjet e rindërtimit. Këto trupa u dislokuan një vit më parë në përfundim të luftës në Irak.

Kryeministri Berluskoni njoftoi gjithashtu se një prej të dërguarve të tij do të niset për në Bagdad me një mision diplomatik për të siguruar lirimin e 3 pengjeve të tjerë italianë që mbahen në Irak.

Po dje, një rrjet televiziv në Francë njoftoi se një prej gazetarëve francezë u lirua pasi ishte rrëmbyer afër Bagdadit. Gazetari francez ishte mes 40 të huajve nga 12 vendeve të ndryshme, të cilët sipas autoriteteve amerikane, kanë rrëmbyer kohët e fundit nga kryengritësit në Irak.

Ndërkaq në Irak, kleriku radikal shiit Moqtada al-Sadr ra dakord të tërheqë kushtet e vëna prej tij për bisedime për t’i dhënë fund krizës ndërmjet kryengritësve shiitë dhe forcave të koalicionit.

Një zëdhënës i klerikut u tha gazetarëve në qytetin e shenjtë Najaf se pas ndërhyrjes së autoriteteve fetare shiite, kleriku kishte vendosur të tërhiqte kërkesat e tij, ku përfshihej tërheqja e forcave amerikane nga zonat e banuara dhe lirimi i të ndaluarve.

Forcat e koalicionit janë grumbulluar përreth qytetit Najaf, të gatshme për të nisur mësymjen kundër shiitëve të armatosur në rast nevoje. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thanë se administrata e presidentit Bush nuk kundërshtoi ftesën e Britanisë që një ekip iranian të vizitojë Irakun për të ndihmuar në uljen e tensioneve.

//ze//

XS
SM
MD
LG