Palestinezët po zotohen të hakmerren për vrasjen e kreut të vrarë të grupit ekstremist Hamas dhe po mbajnë zi për të, ndërkohë që kryeministri izraelit, Ariel Sharon premton sulme të tjera të këtij lloji.
Dhjetra-mijëra palestinezë u mblodhën të dielën në Qytetin Gaza për të marrë pjesë në funeralin e Abdel Aziz Rantisit, i cili u vra të shtunën në një sulm ajror izraelit. Zoti Rantisi u emërua në postin e udhëheqësit të Hamasit muajin e kaluar, pasi vrau paraardhësin e tij, Sheikun Ahmed Jasin, në një sulm me raketa para një xhamie në Qytetin Gaza.
Në Jeruzalem, Kryeministri Ariel Sharon falenderoi forcat ushtarake për vrasjen e Rantisit dhe paralajmëroi për hartimin e një plani të gjerë për të kapur ose vrarë të gjithë udhëheqësit e Hamasit.
Hamasi ka vënë Izraelin në shënjestër nëpërmjet shpërthimeve të shpeshta vetëvrasëse dhe është cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë terroriste.
Organizata Hamas thotë se ka emëruar një udhëheqës të ri. Por një zëdhënës tha se identiteti i udhëheqësit të ri do të mbahet i fshehtë nga frika e një sulmi tjetër izraelit.
Në Washington, këshilltarja për sigurinë kombëtare, Kondolica Rajs, tha se Presidenti Bush nuk ishte paralajmëruar për atentatin kundër zotit Rantisi.
Në Jeruzalem, zëvendëskryeministri izraelit, Ehud Olmert, i tha rrjetit televiziv se politika izraelite nuk lejon zyrtarët të japin paralajmërime për sulme ushtarake kundër kujtdo qoftë. //kk//