Lidhje

Sipas një libri, Presidenti Bush filloi planet për të ndërhyrë në Irak, pak muaj pas 11 shtatorit - 2004-04-18


Në një libër të ri thuhet se Presidenti Bush i filloi planet për të ndërhyrë ushtarakisht Irak vetëm pak muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Libri i titulluar “Plani i Sulmit” është shkruar nga zëvendës kryeredaktori i gazetës Uashington Post, Bob Woodward. Në të thuhet se administrata e Presidentit Bush po planifikonte fshehurazi të ndërhynte ushtarakisht në Irak, pavarësisht nga deklaratat publike se po përpiqej për një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve me Bagdadin lidhur me armët e shkatërrimit në masë.

Sipas librit, Presidenti Bush arriti në fillim të vitit 2003 përfundimin se puna e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët nuk ishte e efektshme dhe se ndërhyrja ushtarake në Irak ishte e pashmangshme. Në libër thuhet gjithashtu se drejtori i CIA-s, George Tenet, e siguroi Presidentin Bush se Iraku zotëronte armë të shkatërrimit në masë.

Sipas autorit të librit, edhe nënpresidenti Dick Cheney ngulte këmbë në ndërhyrjen ushtarake në Irak. Në libër theksohet se aktualisht marrëdhëniet midis zotit Cheney dhe Sekretarit të Shtetit, Kolin Pauëll, janë shumë të ftohta për shkak se zoti Pauëll beson se nënpresidenti po përpiqej të paraqiste si fakt informacion të paqartë rreth Irakut.

Libri i zotit Woodward doli në qarkullim vetëm pak javë pasi ish zyrtari i Shtëpisë së Bardhë kundër terrorizmit, Riçard Klark, botoi librin e tij, në të cilin thuhet se Presidenti Bush nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur kërcënimit terrorist para sulmeve të 11 shtatorit dhe se më pas ishte përqendruar thuajse tërsisht tek problemi me Irakun. //kk//

XS
SM
MD
LG