Lidhje

Nënpresidenti Cheney thekson nevojën për respektimin e lirive të individit në Kinë - 2004-04-20


Gjatë turneut të tij në Kinë, nënpresidenti amerikan Dick Cheney foli me studentë në Universitetin Fudan në Shangai. Nënpresidenti vuri në dukje se ky ishte i njëjti vend ku ish presidenti amerikan, Ronald Regan, kishte folur 20 vjet më parë. Në atë kohë, presidenti Regan shprehu thelbin e lirisë ekonomike dhe politike. Institucionet e lira, tha ai, pasqyrojnë “një vlerësim të gjenialitetit të veçantë të çdo individi dhe të drejtën e tij të veçantë për të marrë vendimet e veta dhe për të bërë jetën e tij.”

Krahasuar me 20 vjet më parë, shumë shtetas kinezë janë tani më të lirë për të zgjedhur rrugën e tyre në jetë, për të zgjedhur karrierën, për të zotëruar prona dhe për të udhëtuar. Kina është hapur ndaj ekonomisë botërore dhe është bërë një lojtar i rëndësishëm në skenën tregtare. Kjo ka sjellë rritje të shpejtë ekonomike dhe ka ngritur standartet e jetesës të një numri të madh shtetasish kinezë.

“Kur njerëzit janë të lirë të drejtojnë jetën e tyre dhe të shijojnë frytet e punës së tyre,” tha nënpresidenti Cheney, “ata punojnë dhe kontribuojnë më shumë për mirëqënien e shoqërive të tyre. Kur njerëzit gëzojnë përfitimet e lirisë ekonomike, ata duan liri më të madhe për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Rritja ekonomike ka rëndësi për t’u dhënë mundësi individëve të bëjnë jetë të rehatshme dhe me dinjitet,” tha zoti Cheney. “Por vetëm të mirat materiale nuk mund të përmbushin dëshirat më të thella të zemrës së njeriut; kjo realizohet vetëm me lirinë e plotë të besimit fetar, fjalës, grumbullimit dhe ndërgjegjes.”

Në Kinë ende nuk njihen këto liri. Kjo u bë e qartë në një rezolutë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara në Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Richard Williamson është përfaqësuesi amerikan në këtë komision:

“Me keqardhje vërejtëm një kthim prapa në çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut. U shtuan arrestimet e veprimtarëve për demokraci. Qëndrimi i qeverisë kineze ndaj Tibetit mbetet problematik,” tha zoti Williamson.

Si rrjedhojë e këtij kthimi prapa, Shtetet e Bashkuara i paraqitën Komisionit një rezolutë mbi Kinën. Por rezoluta u hodh poshtë në një votim procedural.

Megjithatë, siç theksoi nënpresidenti Cheney para studentëve kinezë në Shangai, “Dëshira për liri është universale. Shoqëritë e suksesshme dhe udhëheqësit e mençur kanë mësuar që të mos i tremben, por ta përqafojnë këtë prirje.” //ad//

XS
SM
MD
LG