Lidhje

Presidenti Bush: misioni i trupave amerikane në Irak nuk do të ndryshojë - 2004-04-20


Presidenti Bush tha se nuk do të ketë sprapsje në luftën ndaj atyre që kundërshtojnë praninë amerikane në Irak. Korrespondenti Scott Stearns njofton se zoti Bush po bën fushatë në shtetin e Nju Jorkut dhe anketat e opinionin publik tregojnë se ai kryeson ndaj rivalit të tij të mundshëm demokrat.

Presidenti Bush tha se trupat amerikane kanë shumë për të bërë në Irak, por misioni i tyre atje nuk do të ndryshojë, për shkak të shtimit të luftimeve ditët e fundit.

”Ata nuk mund të na frikësojnë dhe as të na bëjnë të ndryshojmë parimet tona thellë në shpirt. Ata po përpiqen të vrasin për të lëkundur vullnetin tonë. Por ne jemi shumë të fuqishëm, shumë të fortë dhe shumë të vendosur dhe nuk lëkundemi para kriminelëve dhe terroristëve,” -tha Presidenti.

Zoti Bush ishte në Nju York, ku po bën fushatë për të zgjatur ligjin e debatueshëm kundër terrorismit, i cili heq pengesat për shkëmbimin e informacionit midis FBI-së dhe agjencive të zbulimit. Ai gjithashtu e bën më të lehtë kryerjen e përgjimeve të personave që dyshohen si terroristë.

Shqetësimet rreth shkeljeve të mundëshme që mund të bëhen në kushtet e zgjerimit të kompetencave të policisë e kanë bërë të ashtuquajturn "Akt Patriot" një çështje të fushatës. Sfiduesi i mundshëm demokrat, senatori John Kerry votoi në favor të aktit, por qysh atëherë ka shprehur shqetësim rreth mënyrës së zbatimit të tij.

Zoti Bush tha se ligji e ka bërë vendin më të sigurtë, në një kohë kur Amerika po përballet me kërcënime edhe jashtë vendit.

"Ndërsa punojmë për ta bërë vendin më të sigurt, ne po punojmë për të përhapur lirinë e cila do ta bëjë botën më paqësore. Armiku u trembet shoqërive të lira. Është kjo arsyeja që ata na sulmuan,"- tha presidenti.

Mënyra e trajtimit të luftës në Irak nga Presidenti është një ndër çështjet qendrore në fushatën e këtij viti. Anketat e fundit të opinionit tregojnë se zoti Bush kryeson ndaj senatorit Kerry, 48 ndaj 44 përqind.

Anketat e gazetës "Washington Post" dhe kanalit televiziv ABC tregojnë se shumica e amerikanëve vazhdojnë të besojnë se ndërhyrja në Irak ishte vendimi i duhur. Gati dy të tretat thonë se operacionet amerikane në Irak janë bllokuar dhe nuk po shënojnë përparim, por një numër më i madh njerëzish janë pro transferimit të pushtetit në duart e Irakianëve më 30 qershor.// lk //

XS
SM
MD
LG