Lidhje

Një hungarez në Zërin e Amerikës - 2004-04-22


Zëri i Amerikës mbylli nëntë shërbime në gjuhët e Evropës Lindore në muajin shkurt duke i dhënë fund një pjese të rëndësishme të misionit të saj 62 vjeçar. Në materialin në vazhdim ju njohim me disa nga gazetarët që punuan për këto shërbime; burra dhe gra të përkushtuar për t’u dhënë dëgjuesve lajme objektive, të vërteta dhe të besueshme. Sot, Steve Varsa ish gazetar i shërbimit hungarez rikujton momentet kyçe të karrierës së tij 30 vjeçare në Zërin e Amerikës.

Istvan Varsa i njohur nga kolegët e tij si Steve kishte një objektiv të qartë dhe të thjeshtë kur filloi të punonte për Zërin e Amerikës pak pasi u diplomua nga një kolegj.

”Në fillim, isha shumë i ri dhe nuk i kuptoja implikimet politike megjithëse e dija se Zëri i Amerikës ishte një radio shumë efektive e cila mund të nxiste ndryshime politike në Hungari. E vetmja gjë që përpiqesha të bëja ishte t’i paraqisja Shtetet e Bashkuara ashtu siç janë dhe, parimi kryesor ishte të bënim miq përmes radios dhe t’u shpjegonim më mirë hungarezëve pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara.”

Istvan Varsa u rrit në Budapestin e Hungarisë komuniste. Ai ishte 12 vjeç në kohën e revolucionit hungarez të vitit 1956.

”Ishte hera e parë që pashë viktima të luftës. Pashë ushtarë të vrarë rusë dhe trupa të luftëtarëve hungarezë. Nuk mund t’i heq nga mendja ato pamje,” thotë Steve.

Pesë vjet më vonë ai kaloi shumë vështirësi para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington ai mbaroi shkollën e mesme dhe u diplomua nga Universiteti Katolik në degën e ekonomisë. Por në të vërtetë atij i pëlqente futbolli.

Por në shërbimin hungarez të Zërit të Amerikës Steve Varsa u bë një gazetar dhe folës i suksesshëm dhe arriti të ndiqte edhe interesat e tij në sport.

”Mbulova disa lojra olimpike, kampionate botërore dhe disa vjet më vonë, 20 vjet më vonë në një nga këto aktivitete takova idhullin tim, një sportist hungarez i cili më tha; e di cili je pasi të kam dëgjuar në Zërin e Amerikës. Ishte një moment shumë shpërblyes për punën time,” thotë Steve.

Istvan Varsa beson se Zëri i Amerikës dhe gazetarët e shërbimeve të Evropës Lindore luajtën një rol të madh në rrëzimin e murit të Berlinit në vitin 1989.

Nga mesi i viteve 90 Steve Varsa pa ndryshime në transmetimet e Zërit të Amerikës në Hungari dhe në shumicën e vendeve të Evropës Lindore. Ndërsa transmetimet lokale në këto vende u zgjeruan dhe informacioni u bë më i kapshëm, Zëri i Amerikës hoqi valët e shkurtra dhe të mesme të transmetimit dhe filloi t’i dërgonte transmetimet përmes stacioneve lokale në FM.

”Objektivi kryesor i Zërit të Amerikës nuk ka ndryshuar dhe nuk duhet të ndryshojë. Por interesat, fokusi dhe shijet e dëgjuesve mund të kenë ndryshuar. Kohët kanë ndryshuar, jemi në një periudhë të re, në një shekull të ri, në një teknologji të re.”

Pavarësisht përqasjeve të reja për të tërhequr dëgjuesit në Evropën Lindore, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit duke marrë shkas nga shqetësimet buxhetore dhe ndryshimi i përparësive, vendosi të mbyllë transmetimet në atë rajon ku përfshihet edhe Hungaria. Steve Varsa doli në pension.

Kur shikon rrugën e tij si gazetar, Steve thotë se është krenar për punën që ai dhe kolegët e tij kanë bërë për Zërin e Amerikës.

XS
SM
MD
LG