Lidhje

GNK: Kosova mund të shndërrohet në një Breg Perendimor të Evropës - 2004-04-23


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një raport të titulluar “Dështim në Kosovë” paralajmëron se Kosova mund të shndërrohet në një Breg Perëndimor të Evropës, nëse NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara nuk marrin masa urgjente për të stabilizuar gjendjen politike.

Organizata e pavarur ndërkombëtare që studion zhvillimet në botë thotë se komunitetit ndërkombëtar nuk i mbetet shumë kohë për të vepruar. Nëse dështon, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kultura e dhunës politike në Kosovë mund të shkaktojë një rreth të egër urrejtjeje dhe gjakderdhjeje që mund të ketë pasoja në gjithë rajonin.

Raporti përqendrohet tek dhuna etnike që shpërtheu muajin e kaluar, duke shkaktuar vdekjen e 19 personave, plagosjen e 900 të tjerëve, shkatërrimin e rreth 750 shtëpive, kishave dhe manastireve dhe shpërnguljen e rreth 4 mijë e 500 personave.

Mes të tjerash, Grupi i Krizave rekomandon rritjen e numrit dhe gadishmërisë së paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë. Po ashtu kjo organizatë thotë se Kombet e Bashkuara kanë nevojë për një strukturë të re dhe një mandat të ri, që të jenë më të përshtatshme për tranzicionin nga lufta tek një paqe e qëndrueshme në Kosovë.

//rd//

XS
SM
MD
LG