Lidhje

Banka Botërore: ekonomia shqiptare - e varur së tepërmi nga importet - 2004-04-24


Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje më të madhe në sektorët e shërbimeve, ndërtimit dhe transportit. Janë pikërisht këta sektorë ata që po shënojnë ndikimin më të madh në prodhimin e brendshëm të vendit, bëri të ditur Banka Qendrore. Sipas një raporti të fundit të saj, afro gjysmën e prodhimit të përgjithshëm në shkallë vendi e mbulon tregëtia, ndërsa periudhën e fundit po jep ndikim gjithnjë e më të madh edhe hoteleria dhe turizmi.

Sivjet pritet që të ardhurat nga turizmi të jenë më të larta se 7 për qindshi i vitit të kaluar, pasi në këtë sektor firmat private po investojnë shumë, ndërsa edhe administrata shtetërore po i kushton më tepër vëmendje kësaj fushe.

Specialistët theksojnë se shkëmbimet tregëtare zenë më tepër se gjysmën e qarkullimit të valutave të Shqipërisë me botën. Deficiti tregtar është 16 për qind më i lartë se ai i vitit paraardhës, ndërsa shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet është më pak 25 për qind.

Importet e mallrave zenë 80 për qind të vëllimit të tregëtisë së jashtme. Ekspertët pohojnë se ndonëse eksporti i mallrave shënoi rritje, ekonomia shqiptare është dukshëm e varur nga importet.

Deficiti tregëtar po rritet në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, për shkak të fuqisë së ulët konkurruese të prodhimit shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Raporti thekson se për këtë arësye, avantazhet e marrëveshjeve të tregëtisë së lirë që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e rajonit nuk po shfrytëzohen sa duhet nga eksportuesit shqiptarë.

Pjesa dërrmuese e veprimtarisë tregtare të Shqipërisë mbetet e orientuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos nga Italia dhe Greqia. Një pjesë fare e vogël është kthyer në mënyrë rastësore për nga vendet e Evropës Juglindore. Po ashtu ndërtimtaria është një ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare. Sipas raportit bankar, vëllimi i shitjeve çdo tremujor rritet me afro 22 për qind, ndërsa kostoja e ndërtimit u rrit vetëm 3 për qind.

Ndërsa sektori industrial ka patur rezultate të ndryshueshme. Rritja e tij me 10 për qind ka ardhur si rezultat i punës vetëm në nxjerrjen e naftës dhe energjisë elektrike, por industritë përpunuese të metalurgjisë janë zhytur në vështirësi për shkak të teknologjive të vjetëruara.

Në fund dhe me rezultatet më të dobëta mbetet bujqësia, ndonëse ajo ka potencialet më të mëdha. Mungesa e kredive për fermerët i bashkohet një liste të gjatë vështirësish që lidhen me prapambetjen e këtij sektori, siç janë reforma e tokës, pronësia dhe tregu i tokës, lëvizjet migratore të banorëve të fshatit drejt qyteteve të mëdha dhe jashtë vendit.// lk //

XS
SM
MD
LG