Lidhje

SHBA: Ndikimi i votave hispanike në zgjedhjet presidenciale - 2004-04-25


Popullsia hispanike është tani zyrtarisht grupi më i madh ndër pakicat racore në Shtetet e Bashkuara dhe përfaqëson popullatën votuese me ritmet më të larta të rritjes në vend.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara jetojnë afro 40 milion latino-amerikanë. Hispanikët përbënin deri në 6 për qind të votës në zgjedhjet e vitit 2000, por disa analistë parashikojnë se këtë vit ata mund të përfaqësojnë afro 10 për qind të votuesve.

Gabriela Lemus është Drejtoreshë e seksionit të Politikave dhe Legjislaturës për organizatën Lidhja e Shtetasve të Bashkuar Latino-Amerikanë ose LULAC. Kjo organizatë është angazhuar për të regjistruar votuesit e rinj latinë për zgjedhet e nëntorit:

“LULAC po merr pjesë përkrah një numër organizatash të tjera hispanike për rritjen e pjesëmarrjes së popullatës latine në votime. Ne e kemi quajtur fushatën tonë ‘10-4’ pasi duam që për vitin 2004 të kemi 10 milion latino të regjistruar për votime. Aktualisht kemi afro 8 milion vetë pra është një punë e madhe përpara”.

Ingrid Duran kryeson Instutin e Hispanikëve për lidhje me Kongresin në Washington. Ajo drejton punën e kësaj organizate që është përkushtuar për krijimin e brezit të ardhshëm të drejtuesve politikë latino-amerikanë. Zonja Duran thotë se mund të thuash që latinot janë grupi më i papërcaktueshëm politikisht në vend:

“Mendoj se në 2004-ën pa diskutim do të jemi vota më e papërcaktueshme, pasi komuniteti latino-amerikan është shumë i larmishëm. Ky komunitet përbëhet nga grupe të ndryshme etnike dhe preferencat gjatë votimeve janë po aq të ndryshme sa edhe komuniteti ynë, prandaj votat tona mund t’i shkojnë secilit kandidat”.

Në zgjedhjet e vitit 2000, nën-presidenti Al Gore mori 62 për qind të mbështetjes së komunitetit latino-amerikan, ndërsa presidenti Bush arriti të tërheqë 35 për qind të tyre. Demokratët ende gëzojnë epërsi në raportin 2 me 1 për sa i përket mbështetjes së latino-amerikanëve, por kjo shifër po bie.

Analistët politikë thonë se po të sigurojë rritjen e mbështetjes hispanike, presidenti Bush do ta kishte të garantuar fitoren në zgjedhje. Larry Gonzales është Drejtor i Shoqatë Kombëtare të Zyrtarëve të Zgjedhur Latinë në Washington. Ai thotë se komuniteti hispanik nuk është më i lidhur shumë me partinë, por tërhiqet nga kandidati dhe çështjet:

“Nuk ka rëndësi nëse je demokrat apo republikan. Ata na e kanë bërë të qartë se i rëndësishëm është kandidati dhe pikëpamjet e tij. Si do të ndikojnë këto pikëpamje në jetën e votuesit? Sa i lidhur është kandidati me komunitetin dhe sa përvojë ka”.

Zonja Duran po ashtu mendon se latino-amerikanët ka të ngjarë të përqendrohen më tepër në çështjet që duan që t’i marrin në shqyrtim presidenti Bush apo konkurenti i tij John Kerry: “Latino-amerikanët janë grupi numër 1 ndërmarrës në vend. Prandaj mendoj se për këtë grup do të ketë rëndësi aspekti i biznesit. Ndërkaq, popullata e re imigrante do të ketë si përparësi politikat e imigracionit. Latino-amerikanët që kanë fëmijë janë segmenti më i madh i komunitetit latin dhe për ata ka rëndësi arsimi”.

Disa analistë politikë thonë se votat e latino-amerikanëve, veçanërisht të atyre që votojnë për herë të parë, do t’i marrë ajo parti kryesore amerikane, e cila ka në programin e saj këto çështje.//kk//

XS
SM
MD
LG