Lidhje

E ardhmja e Kosovës - 2004-04-26


Javën e kaluar qendra Woodrow Wilson në Washington zhvilloi një konferencë tre orëshe mbi të ardhmen e Kosovës gjatë së cilës ekspertë dhe analistë ranë dakort në përgjithësi se rajoni i Ballkanit mund të hyjë në një fazë më të vështirë paqendrueshmërie. Në konferencë u shpreh pak optimizëm se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të kontribojë për qëndrueshmërinë në rajon.

Ekspertët thanë pa hezituar se gjërat nuk po shkojnë mirë në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan. Komentet më pesimiste i bëri analisti i çështjeve të sigurimit, David Kanin, i cili argumentoi se përpjekjet e mira të komunitetit ndërkombëtar nuk do të jenë të suksesshme po qe se fraksionet rivale eknike të rajonit nuk dëshirojnë një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Zoti Kanin shprehu bindjen se nuk do të ketë zgjidhje afatgjatë në se njerëzit në rajon nuk vendosin të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e tyre. E ardhmja e tyre është e ndërvarur. Edhe nëse ato do të hyjnë në Nato apo në Bashkimin Evropian siç po ndodh me disa, apo edhe në se bëjnë përparime në ekonomi dhe reforma, kjo nuk do të jetë zgjidhje. Në se trupat tona largohen, në se pushtimi de fakto merr fund, ashtu do të marrë fund edhe situata e tanishme. Nuk do të ketë më Bosnje. Do të ketë diçka tjetër dhe çdo gjë do të jetë e lakmueshme për tu rrëmbyer përsëri”.

Zoti Kanin tha se pavarësia e Kosovës do të zgjidhte pak probleme por mund të nxiste shpërbërje të entiteteve të tjera brenda ish Jugosllavisë.

Geert Ahrens, diplomat gjerman në pension me një eksperiencë 15 vjeçare në Ballkan tha se Sërbia është dobësuar ndjeshëm nga humbjet që ka pësuar gjatë shpërbërjes dhjetë vjeçare. Vendi tha ai është dobësuar kaq shumë psikologjikisht saqë situata atje është e ngjashme me atë të Gjermanisë pas luftës së parë botërore. Ai vuri theksin në lidhjet historike të Serbisë në Kosovë dhe realitin zhgënjues që Serbia nuk mund të riafirmojë sundimin e saj mbi rajonin e përbërë nga 90 përqind shqiptarë. Zoti Ahrens favorizoi pavarësinë e Kosovës por shprehu shqetësim se një zhvillim i tillë mund të përshpejtojë shpërbërjen e Maqedonisë, ku gati një e treta e popullësisë është shqiptare. Ai beson se marrëveshja e Ohrit për ndarjen e pushtetit në Maqedoni nuk po funksionon.

Analisti i zbulimit Kanin beson se shumë pak është arritur nga përfshirja prej një dekade e komunitetit ndërkombëtar në Ballkan. Ai ia atribuon një pjesë të madhe të paqëndrueshmërisë dhe trazirat e fundit në Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Maqedoni, një iniciative diplomatike të Gjermanisë që njohu pavarësinë e Slovenisë dhe Kroacisë në vitin 1991.

Folës të tjerë në konferencë përshëndetën një propozim nga Instituti Amerikan i Paqes për të parandaluar dështime të tjera në rajon. Instituti po i bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të shtojë përpjekjet për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.

//rd//

XS
SM
MD
LG