Lidhje

Presidenti Bush dhe nën-presidenti Cheney u përgjigjen sot pyetjeve të komisionit që po heton sulmet e 11 shtatorit - 2004-04-29


Presidenti Bush dhe nën-presidenti Dick Cheney u përgjigjen sot pyetjeve të 10 anëtarëve të komisionit që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Korrespondentja njofton se seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti tha se mezi pret të bisedojë me anëtarët e komisionit.

“Ky takim do të jetë një mundësi e mirë për anëtarët e komisionit për t’i ndihmuar që të shkruajnë një raport, i cili shpresoj të ndihmojë presidentët e ardhshëm që të parandalojnë kërcënimet terroriste ndaj vendit tonë.”

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë theksojnë se ky do të jetë një takim privat dhe jo një dëshmi publike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClecall, tha se është shumë e pazakontë për një president të Shteteve të Bashkuara që të marrë pjesë në një seancë të tillë me një komision hetimor, të krijuar nga kongresi.

“Ne duam që komisioni të jetë në gjendje t’i paraqesë popullit amerikan një pasqyrë sa më të plotë që të jetë e mundur. Prandaj edhe presidenti ka kaluar nëpër duar materiale dhe dokumenta nga periudha para 11 shtatorit 2001 dhe rreth asaj kohe.”

Zëdhënësi McClellan tha se megjithëse në këtë seancë do të marrë pjesë edhe nën-presidenti Dick Cheney, presidenti do t’u përgjigjet shumicës së pyetjeve. Ai tha se përveç shqyrtimit të dokumentave, presidenti ka biseduar me disa anëtarë të lartë të personelit të Shtëpisë së Bardhë për të freskuar kujtesën e tij. Mes tyre kanë qënë këshilltarja e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Card, dhe Këshilltari Ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Alberto Gonzales.

Zoti Gonzales do të marrë pjesë në këtë sesion dhe një prej ndihmësve të tij do të mbajë shënime. Takimi nuk do të regjistrohet dhe nuk do të mbahet një transkript zyrtar me përjashtim të shënimeve të mbledhura nga personeli i Shtëpisë së Bardhë dhe një zyrtar i komisionit.

Ndihmësit e presidentit thanë se ata vendosën rregullat pjesërisht sepse në seancë do të diskutohen informacione sekrete. Ata thanë se edhe komisioni ishte i këtij mendimi dhe theksuan se ky nuk është një proces kundërshtarësh.

Komisioni ka grumbulluar tashmë mijëra dokumenta dhe ka dëgjuar një numër dëshmitarësh. Zëdhënësi Scott McClellan tha se takimi me presidentin zhvillohet gati në fund të punës së komisionit, i cili së shpejti do të fillojë të hartojë raportin e tij përfundimtar.

“Presidenti dëshiron të bëjë punën e tij për t’i ndihmuar anëtarët e komisionit që të bashkërendojnë informacionet që kanë në mënyrë që të paraqesin për popullin amerikan një raport sa më të plotë që të jetë e mundur me rekomandime që mund të na ndihmojnë të bëjmë një punë më të mirë për të fituar luftën kundër terrorizmit.”

Shtëpia e Bardhë ka të ngjarë të japë informacionet kryesore logjistike lidhur me takimin e ndoshta pak, në mos aspak rreth substancës së diskutuar. Udhëheqësit e komisionit bënë një deklaratë pas një takimi privat para pak javësh me ish presidentin Bill Clinton dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë pas takimit të tyre me presidentin Bush.

//ze//

XS
SM
MD
LG