Lidhje

President Rugova: të transferohen më shumë përgjegjësi ekzekutive - 2004-04-29


Dhuna e 17 marsit në Kosovë i tronditi rëndë synimet e komunitetit ndërkombëtar për rajonin. Por ajo tronditi sidomos imazhin e Kosovës, ku komuniteti ndërkombëtar po teston vullnetin e banorëve për të ndërtuar bashkëjetesën dhe për të patur më në fund një status të qartë politik. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës në Uashington, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se me njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të jetë shumë më i lehtë edhe integrimi i pakicës serbe dhe pakicave të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti president, pas takimeve në Nju Jork ku ju biseduat me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan si dhe pas takimeve me zyrtarët amerikanë, cila është përshtypja juaj për qendrimet e tyre ndaj Kosovës, pas ngjarjeve të 17 marsit?

President Ibrahim Rugova: Të gjithë janë të prekur dhe mund të themi edhe të habitur sepse në Kosovë kishte një trend shumë pozitiv por është edhe përkushtimi, edhe i zotit Kofi Annan dhe i OKB-së dhe sidomos i Shteteve të Bashkuara që të tejkalohet gjendja dhe përkushtimi se do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën dhe qendrimet pozitive në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë e kritikuan ashpër udhëheqjen kosovare për masa gjysmake, siç u shprehën ata, në përgjigje të ngjarjeve të marsit. A mendoni se në këtë drejtim po bëhet përmirësim?

President Ibrahim Rugova: Është normale që bëjnë kritika por duhet të shikohet se unë si President i Kosovës jam një autoritet moral, por që duhet të jem edhe me kushtetutë por duhet të kemi edhe ekzekutiv. Kur ndodhin ngjarje si ato të marsit, si në çdo vend demokratik, nëse përdoret dhuna, ne duhet të përdorim policinë, por edhe ushtrinë. Pastaj është edhe pjesa politike. Ne e kemi kryer pjesëmn tonë politike, por ngjarjet ndodhën shumë papritur, filluan shumë ashpër, diçka që nuk mund ta imagjinoje që do të reagohej ndaj policisë së UNMIK-ut, ndaj KFOR-it por edhe ndaj policisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cilat janë difektet në pjesën politike që ju sapo përmendet.

President Ibrahim Rugova: Politika duhet të përcillet edhe me instrumente, me mundësi, pra të kem mundësi të urdhëroj policinë e Kosovës. Sot kemi një kontingjent prej 6 mijë vetash. Ne duhet ta specializojmë, ta pajisim policinë. Atë ditë policët kanë qenë si qytetarë të thjeshtë. Prandaj, këto janë kritika pozitive edhe për ne por edhe për bashkësinë ndërkombëtare sepse UNMIK-u aty është për ne por ne kemi ecur shumë shpejt dhe duhet të fillojmë me transferimin e përgjegjësive ekzekutive. Ato morale i kemi dhe duhet t’i mbajmë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova përballet me një problem shumë të mprehtë siç janë standardet. Shtetet e Bashkuara e riafirmuan politikën e tyre të standardeve pas dhunës të 17 marsit. A besoni se standardet janë të realizueshme pas këtyre që ndodhën?

President Ibrahim Rugova: Këto (ngjarje) mund të ngadalësojnë pak gjendjen, por ne përsëri kemi vendosur, unë e them se një pjesë të standardeve ne e kemi përmbushur. Duhet të fillojmë me vlerësimin e tyre gradual, kjo është e rëndësishme dhe të shikojmë çka mund të realizojmë këtë vit. Pastaj të mos harrojmë, kemi edhe zgjedhjet nacionale në vjeshtë dhe çdo parti politike, çdo grup do të shikojë interesat e veta, por ne nuk do të bëjmë një fushatë të gjatë, mjaftojnë 40 e ca ditë, shtator, tetor, sepse jemi vend i vogël dhe duhet të punojmë, t’i kryejmë detyrat, institucionet dhe të tjerat.

Zëri i Amerikës: Një problem tjetër delikat, është çështja e pakicës serbe, që lidhet ngushtë me standardet. A mendoni ju se mund t’i bindni serbët që të përfshihen në proces, edhe pas ngjarjeve të marsit?

President Ibrahim Rugova: Ne po punojmë në këtë drejtim, por unë përsëri e them: me njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të jetë shumë më i lehtë edhe integrimi i pakicës serbe dhe pakicave të tjera. Do të ishte shumë më i lehtë edhe integrimi ekonomik i tyre, demokratik, sepse edhe ata që janë sot aty, edhe ata kërkojnë punë. Ne kemi bërë sa kemi mundur që në vendbanimet serbe, kemi financa të veçanta, kemi shkolla, ambulanca. Atje ku janë ata shumicë shqiptarët marrin pjesë në Asamble Komunale, nuk hapin probleme. Në Mitrovicë, serbët duhet të marrin pjesë në asamble dhe ne po bëjmë përpjekje që të vijnë përsëri në institucione, në parlament. Në qeveri funksionojnë, kanë dy ministra dhe po punojmë në këtë drejtim por është krejt normale, një pjesë e serbëve ende mendojnë me logjikën e vjetër e një pjesë dëshirojnë të integrohen.

Zëri i Amerikës: Zoti President kam përshtypjen se problemi i ndërkombëtarëve, ose dyshimi i tyrë është sinqeriteti i përpjekjeve nga ana e shqiptarëve.

President Ibrahim Rugova: Ne sinqeritetim e kemi dhe e kemi treguar me vepra, por janë edhe disa vendime që duhet të merren, që të ecin gjërat, që edhe sinqeriteti të justifikohet dhe të sanksionohet në mënyrë të rregullt. Kosova tani po hyn në fazën normale të një shteti, të një vendi demokratik dhe kërshtu duhet të fillojë bota të na pranojë. Do të kemi ndonjë problem herë pas here e të tjera, do të kemi kompetenca, mund të gabojmë. Dhe nëse gabojmë unë si president, apo ministrat, apo kryeministri e të tjerë do të dalim edhe para gjyqit, para drejtësisë si qytetar, por duhet të kem kompetenca ekzekutive. Ndërsa ato morale funksionojmë dhe do t’i fuqizojmë.

Zëri i Amerikës: Zoti President a është e mundur që dialogu me Beogradin të vazhdojë në kushtet që janë krijuar?

President Ibrahim Rugova: Ai filloi mirë, tani duhet të presim pak pas këtyre ngjarjeve dhe në kuadrin e zhvillimeve në rajon, por do të bëjmë përpjekje. Dhe është në interesin tonë të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, me Shqipërinë i kemi të mira, me Maqedoninë kanë filluar më mirë, me Malin e Zi, dhe po ashtu me Serbinë, por janë probleme më të rënda dhe ata derisa ata të pranojnë realitetin e ri që ka ndodhur pas ndërhyrjes së NATO-s dhe pas pesë vjetësh progresi në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju faleminderit.

President Ibrahim Rugova: Ju faleminderit shumë, kam kënaqësi që jam në Zërin e Amerikës, një nga studiot e mia të para të jetës politike dhe ju dëshiroj çdo sukses dhe ne ju shikojmë përditë atje.

XS
SM
MD
LG