Lidhje

Shtypje e rëndë në Korenë e Veriut - 2004-04-30


Populli i Koresë së Veriut vuan thellësisht si rrjedhojë e mungesës së plotë të respektit për të drejtat e njeriut nga qeveria e Penjanit. Për këtë arsye shumë amerikanë morën pjesë në “Ditën e Lirisë së Koresë së Veriut” më 28 prill në Washington. Kjo veprimtari e organizuar nga grupe të angazhuara në nxitjen e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut përfshinte një tubim, lutje dhe aktivitete të tjera.

Ambasadori amerikan për Lirinë Ndërkombëtare të Besimit John Hanford foli në tubim lidhur me persekutimin e tmerrshëm të besimtarëve në Korenë e Veriut. Siç u shpreh ai, “Liria e besimit nuk është thjeshtë e dhunuar rëndë në Korenë e Veriut, por nuk ekziston aspak.”

Shtypja është aq e rëndë në Korenë e Veriut sa që Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi këtë muaj një rezolutë në të cilën dënohen “shkeljet sistematike, të përhapura, dhe të rënda të të drejtave të njeriut” nga regjimi komunist në Penian. Ndër këto shkelje përfshihen torturat, ndalimi arbitrar, ekzekutimi i të burgosurve për arsye politike dhe fetare si dhe përdorimi në shkallë të gjerë i punës së detyruar. Rezoluta e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thotë se në Korenë e Veriut ka kufizime të shumta dhe të rënda ndaj lirisë së mendimit, besimit, shprehjes dhe organizimit.

Lorne Craner është Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën. Ai thotë se në Korenë e Veriut as që bëhet fjalë për liritë bazë.

"Është e qartë që gjendja e të drejtave të njeriut atje është shumë e rëndë. Ka gjithandej kampe të burgosurish , 150 mijë e 200 mijë veta janë në burg, dhe ka tortura të shumta."

Koreja e Veriut është ende shumë e izoluar për të huajt dhe ekonomia e saj është një ndër më të kontrolluarat në botë. Ky është gjithashtu një ndër vendet më të militarizuara të botës, pasi një e katërta e prodhimit të përgjithshëm të vendit përdoret për qëllime ushtarake, përfshirë edhe zhvillimin e armëve bërthamore. Si rezultat i politikave qeveritare, Koreja e Veriut ndeshet me mungesa të vazhdueshme të rezervave ushqimore dhe uri. Megjithë ndihmat e shumta ndërkombëtare, shumë prej të cilave nga Shtetet e Bashkuara, njoftohet se qindra mijëra koreano-veriorë kanë vdekur nga urija gjatë dekadës së fundit.

Siç theksoi Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, autoritetet e Koresë së Veriut duhet të hapin vendin në mënyrë që grupet e të drejtave të njeriut të vëzhgojnë gjendjen për t’u siguruar se ndihmat humanitare u shkojnë personave në nevojë.

//ze//

XS
SM
MD
LG