Lidhje

Presidenti Moisiu kërkon rindërtimin e komisioneve të votimit - 2004-05-01


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kërkoi sot një rindërtim të komisioneve të votimit, procedura të reja numërimi dhe lista të sakta qytetarësh, në përpjekjet për të organizuar zgjedhje të pakundërshtuara nga forcat politike. Por ndërkaq, ai theksoi se balancimi partiak i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ishte i panevojshëm, madje edhe teorikisht i pamundur. Gazetari Ilirian Agolli përgatiti këtë material:

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, publikoi sot propozimet e tij për një reformë zgjedhore të pranuar gjerësisht nga forcat politike, pas mbledhjeve me Grupin e të Urtëve. Ai propozoi që sistemi zgjedhor i përzjerë ose proporcional të mbetet i pandryshuar pasi kjo do të donte ndryshime në Kushtetutë dhe një kohë të gjatë me debate të hollësishme. Ai kërkoi që përgatitja e listave të sakta të jetë përgjegjësi e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, të cilat që duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të përfunduar sa më shpejt reformimin dhe modernizimin e shërbimit të gjendjes civile. “Zyrat e gjendjes civile duhet të jenë në gjendje të hartojnë lista të plota dhe të sakta për zgjedhjet e ardhshme. Më tej, listat e zgjedhësve duhet të saktësohen rregullisht, të paktën një herë në vit”- tha ai. Presidenti tha se pasaktësitë e listave kanë qenë një shqetësim jo i vogël gjatë zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri, gjë që ka sjellë mohimin e një të drejte themelore për shumë votues.

Zoti Moisiu u shpreh edhe për mënyra të reja të numërimit të votave pas mbylljes së procesit zgjedhor. Ai propozon që në qendrat e votimit vetëm të votohet në kuti të pahapshme me një përdorim dhe në fund të proçesit numërimi të bëhet në qendër të prefekturës apo zonës elektorale. Kjo procedurë, sipas tij, krijon një besim më të madh tek publiku dhe siguri për numërimin dhe do të shmangë korruptimin apo kërcënimin e komisionerëve. “Duke e përqëndruar numërimin vetëm në disa pika, ai do të jetë transparent - thotë zoti Moisiu - i kontrollueshëm nga të interesuarit, dhe i pakundërshtueshëm”.

Presidenti Moisiu propozon që Komisioni i votimit të përbëhet nga tre anëtarë, të zgjedhur me short vetëm përpara fillimit të numërimit të votave: një nga opozita, një nga pozita dhe një nga një listë gjyqtarësh. Ndërsa KQZ, presidenti e mendon vetëm si një organ që organizon dhe drejton zgjedhjet dhe referendumet në mbarë vendin, që regjistron dhe shpall rezultatet e votimeve sipas dokumentave të komisioneve më të ulta. “Balancimi partiak i tij do të ishte i panevojshëm - thotë preidenti Moisiu, - madje edhe teorikisht i pamundur”. Ai thekson në materialin e shpërndarë për mediat se “për Shqipërinë është jetike zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakundërshtuara nga palët”.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, thekson presidenti, janë një sfidë që duhet përballuar me dinjitet dhe përgjegjësi nga të gjithë faktorët politikë e institucionalë, ndërsa dështimi i zgjedhjeve, kontestimet, zvarritjet për shpalljen e rezultatit, sic ka ndodhur deri tani, do të vështirësonin dhe do të vononin integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, në NATO dhe BE.

XS
SM
MD
LG