Lidhje

Prilli, muaji më i përgjakshëm për ushtrinë amerikane në Irak - 2004-05-01


Një vit më parë presidenti Bush deklaroi përfundimin e veprimeve madhore luftarake në Irak. Qysh atëherë gati 600 ushtarë amerikanë janë vrarë dhe demokratët thonë se presidentit i mungon një strategji e qartë për dalje nga Iraku. Nga Shtëpia e Bardhë, korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns njofton

Vizita e shumë publikuar e presidentit në një aeroplanmbajtëse amerikane 1 majin e kaluar që përfshiu një pankartë ku shkruhej Misioni i Përfunduar, ku presidenti Bush tha se trupat amerikane dhe aleatët e tyre kishin dalë fitimtarë në Irak.

Por ndërsa luftimet vazhduan që nga viti i kaluar, mbështetja publike për luftën dhe për presidentin ranë nga 70 përqind në mbi 50 përqind.

Ndërsa zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se rritja e dhunës në prill nuk është një rikthim i luftimeve madhore, ata janë të vetëdijshëm për ndikimin politik të muajit më të përgjakshëm të luftës deri tani, ku janë vrarë më shumë se 4 herë më shumë ushtarë sesa gjatë luftës për Bagdadin.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se ai shkoi në aeroplanmbajtësen amerikane për të falenderuar trupat për guximin dhe profesionalizmin që treguan në konfrontimin në atë që ai e quajti rrezikun më të madh në botë. "Atë ditë, unë gjithashtu paralajmërova amerikanët se edhe pse tirania ishte rrëzuar, lufta kundër terrorit do të vazhdojë. Një vit më votë, pavarësisht nga sfidat e shumta, jeta për popullin irakian ka ndryshuar shumë nga koha e regjimit shtypës dhe të korruptuar të Sadam Huseinit", tha presidenti.

Në Irak, zoti Bush tha se forcat amerikane po përballen me sfida serioze të vazhdueshme nga milicë të jashtëligjshëm, anëtarë të ish regjimit dhe terroristë të huaj që po përpiqen të marrin pushtetin. Ata do të dështojnë tha presidenti, pasi forcat e koalicionit do tua dorëzojnë puhstetin një administrate civile amerikane në fund të qershorit. "Ne do të përfundojmë punën tonë në Irak pasi rreziqet për vendin tonë dhe për mbarë botën janë të larta. Dështimi i demokracisë në Irak do të inkurajojë gjithë terroristët në botë, do të rrisë rrezikun për popullin amerikan dhe do të shterojë shpresat e miliona njerëzve në Lindjen e Mesme. Suksesi i demokracisë në Irak do të përhapë mesazhin nga Damasku në Teheran se liria mund të jetë e ardhmja e çdo vendi", tha presidenti.

Ndërsa po afron transferimi i pushtetit, zoti Bush tha se trupat amerikane pritet të përballen me më shumë dhunë por ai tha se ata nuk do të frikësohen dhe të ndryshojnë drejtim.

Në një përgjigje të fjalimit të presidentit në radio, ish udhëheqësi i togës së gardës kombëtare Paul Rieckhoff tha se gjatë dhjetë muajve të shërbimit të tij në Irak pa se operacioni ishte difektoz. "Zoti president, misioni ynë nuk ka përfunduar. Trupat tonë mund tja dalin me sukses. Ne mund të ndërtojmë një Irak të qëndrueshëm por ne kemi nevojë për ndihmë. Ushtarët me të cilët shërbeva janë gra dhe burra me kurajo dhe aftësi të jashtëzakonshme por ka ardhur koha të kemi një udhëheqje në Uashtington që ti përgjigjet asaj kurajoje dhe atyre aftësive" tha zoti Rieckhoff.

Zoti Rieckhot tha se toga e tij kishte mungesë të ujit të pijshëm, pajisjeve mjekësore dhe të tjera mjete të nevojshme. AI tha se ushtarët e tij nuk ishin të stërvitur siç duhet për operacione të atij lloji dhe nuk kishin përkëthyes të mjaftueshëm.

Zoti Rieckhoff shtron pyetjen se kur presidenti Bush do të marrë përgjegjësinë për gabimet e bëra në Irak. Zoti Bush thotë se duket se janë bërë gabime në informatat e zbulimit para luftës rreth programit të armëve në atë vend por ai thotë se pushtimi ishte vendimi i drejtë pasi Sadam Huseinin nuk përbën më kërcënim për Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG