Lidhje

Arabia Saudite: vriten dy amerikanë, dy britanikë dhe një australian - 2004-05-02


Persona të armatosur në Arabinë Saudite vranë dje dy amerikanë, dy britanikë dhe një australian. Pesë të vrarët punonin për kompaninë energjetike A-B-B në qytetin saudit Yanbu. Edhe 3 punonjës të tjerë të kompanisë u plagosën.

Ministria e brendshme saudite tha se tre prej katër sulmuesve punonin në kompleksin ku u krye sulmi.

Pas të shtënave të armëve pa dallim, sulmuesit u përpoqën t’i iknin policisë, e cila i ndoqi ata nëpër qytet. Tre nga sulmuesit u vranë gjatë ndjekjes së policisë, kurse i katërti vdiq nga plagët. Edhe një punonjës i sigurimit saudit humbi jetën në përleshje.

Ambasadori i Arabisë Saudite në Britani u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave, duke e cilësuar sulmin si një tërbim keqbërës pa dallim.

Departamenti amerikan i shtetit përsëriti paralajmërimin e tij këtë javë se terroristët mund të përpiqen të sulmojnë interesat amerikane në Lindjen e Mesme. Qendra e naftës, ku ndodhi sulmi i djeshëm është pronë e përbashkët e kompanisë saudite SABIC dhe gjigandid energjetik amerikan ExxonMobil.

Gjatë vitit të fundit, Arabia Saudite është goditur nga një valë ekstremizmi islamik. Më 21 prill, shpërthimi i një makine bombë në Rijad shkaktoi vdekjen e 5 vetave dhe plagosjen e afro 150 të tjerëve. Më shumë se 50 veta u vranë nga shpërthimet vetëvrasëse kundër një kompleksi banimi të Riadit vitin e kaluar.

//ze//

XS
SM
MD
LG