Lidhje

Sëmundjet e rënda dhe shpresa për jetën - 2004-05-03


Shkencëtarët e kanë thënë me kohë që egziston një lidhje ndërmjet shpresës së pacientit dhe përmirësimit të tij nga sëmundjet e rënda. Tani një specialist i shquar amerikan në fushën e kancerit, sygjeron se ka baza mjeksore për një lidhje të tillë. Këtë sugjerim ai e bën në librin e ri mjaft të shitur të titulluar, “Anatomia e Shpresës: Si Fitojnë Njerëzit Përballë Sëmundjes”. Autori i librit është Jerome Groopman, profesor në degën e mjeksisë së Universitetit të Harvardit, njëkohësisht korrespondent i revistës ”The New Yorker” për mjeksinë dhe biologjinë.

Jerome Groopman u mbështet tek përvoja e tij në punë dhe zbulimet e fundit në mjekësi për të shkruar librin “Anatomia e Shpresës.” Ai beson se është e rëndësishme që së pari të kuptohet se çfarë është shpresa, dhe si ndryshon ajo nga optimizmi.

“Një optimist thotë se gjithçka do të shkojë mirë. Por në fakt, ne e dimë që në jetë kjo nuk ndodh gjithmonë kështu. Ndërsa shpresa i pranon të gjitha problemet me të cilat ndeshemi, dhe përmes saj ne shikojmë një të ardhme më të mirë. Diçka e re në libër është të kuptuarit e shpresës dhe ndryshimet që ndodhin në trurin dhe trupin tonë kur kemi shpresa.”

Por cilat janë disa nga këto ndryshime? Si rezultat i shpresës truri çliron disa kimikate të cilat reduktojnë shqetësimet. Shqetësimet janë pengesat më të mëdha tek pacientët për fillimin e një kure të sëmundjeve, apo për të patur forcën e duhur për të përballuar mjekimin. Gjithashtu ka ndryshime serioze në funksionimin e muskujve. Kur të sëmurët me Parkinson shpresojnë kjo bën që të çlirohen kimikate, që i bën muskujt të jenë më elastikë, kështu që të sëmurët mund të funksionojnë më mirë. Shpresa mund të pakësojë dhimbjet tek njerzit me rreumatizëm. Ndërsa për sa u përket sëmudjeve të zemrës, ka studime të mira që tregojnë se të sëmurët që shpresojnë mund të shpejtojnë shërimin dhe ky shërim mund të jetë më i gjatë.

Përsa i përket pacientëve të prekur nga sëmundjet e kancerit, profesori Groopman thotë, studimet nuk janë të qartë. Me siguri që optimizmi dhe shpresa nuk e zhdukin sëmundjen. Por ndikimi i të shpresuarit tek pacientët e kancerit bën që ata të marrin vendime të qarta dhe të zgjedhin mënyrat më të mira me shpresë që të kurohen.

Jerome Groopman beson se roli i doktorit është që t’u thotë të vërtetën pacientëve, por gjithashtu t’i inkurajojë ata që të shpresojnë dhe të kurohen, edhe nëse ata janë në gjendje të rëndë.

“Asnjë doktor nuk është Zoti. Ata nuk mund t’u thonë pacientëve që kanë 3 apo 6 muaj jetë. Kam parë mjaft pacientë që kanë ardhur tek unë për një opinion të dytë, të cilëve u është thënë diçka e tillë nga doktori i tyre por një vit më vonë ata janë akoma gjallë. Pacientëve mund t’u thuhet se sëmundja është serioze dhe dihet që shumë njerëz nuk mbijetojnë nga një sëmudje e tillë. Por gjithashtu pacientëve u duhet thënë se gjërat mund të ndryshojnë. Dhe se ndoshta doktori do të ketë mundësi ta mbajë pacientin gjallë për një periodë më të gjatë, dhe ndoshta ilaçe apo mënyra të reja kurimi do të zbulohen në kohë që t’i shërbejnë kurimit të pacientit. Unë e kam parë një gjë të tillë të ndodhë gjatë 30 vjetëve të karrierës.”

Por çfarë mund të bëhet kur për pacientin nuk ka më shpresë.

“Po ju flas për grua të quajtur Barbara Wilson, e cila më dha një mësim të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo kishte kancer në gji dhe e përballoi mjaft mirë për një kohë të gjatë. Unë shkova tek krevati i saj dhe i thashë se nuk kisha më ilaçe për ti dhënë. Ajo mu përgjigj duke më thënë se e kisha gabim. Barbara më tha se unë zotëroja ilaçin e miqësisë. Dhe mendoj se ajo që duhet bërë në raste të tilla, është tjetërsimi i shpresës për trupin e njeriut që vuan, tek shpresa e shpirtit të tij.”

Doktori Groopman beson se njerëzit shkojnë tek mjeku për të kërkuar shpresë. Pjesë e punës së mjekut është t’i njohë pacientët, të kuptojë ndjenjat e tyre dhe si mund të ndikojnë tek pacientët që t’u ngjallin shpresa për jetën.

XS
SM
MD
LG