Lidhje

Majers: abuzimet ndaj të burgosurve irakianë janë të papranueshme - 2004-05-05


Shtetet e Bashkuara po hetojnë akuzat se ushtarë amerikanë kanë abuzuar të burgosur irakianë. Njoftohet se akuza për veprime kriminale janë ngritur ndaj gjashtë ushtarëve.

Ata ishin anëtarë të një njësie policore ushtarake amerikane që shërben në burgun Abu Ghraib, pranë Bagdadit. Mes të tjerash, ata janë akuzuar për akte të turpshme e mizore kundër të burgosurve. Akuza mund të ngrihen edhe ndaj të tjerëve. Përveç këtyre, edhe shtatë ushtarakë të tjerë, përfshirë oficerë, janë qortuar apo ndëshkuar se kanë dështuar të sigurojnë trajtimin e prështatshëm të të burgosurve.

Në një raport të ushtrisë amerikane thuhet se oficerë zbulimi të nivelit të mesëm u kishin dhënë urdhra të diskutueshme ushtarëve përgjegjës për ruajtjen e të burgosurve.

Mjete informimi në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera kanë publikuar fotografi, në të cilat paraqiten ushtarë amerikanë duke u tallur me të burgosur irakianë krejtësisht të zhveshur. Siç tha gjenerali amerikan, Mark Kimit, nuk ka asnjë justifikim për ato që shihen në këto fotografi.

Shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Riçard Majers, tha se trupat që vërtetohet se janë angazhuar në abuzimin e të burgosurve do të nxirren para drejtësisë. Abuzime të tilla, tha Gjenerali Majers, nuk pasqyrojnë etikën e ushtrisë amerikane: “Kjo sjellje është e papranueshme. Këto akte janë plotësisht në kundërshtim me mënyrën se si veprojnë forcat e armatosura amerikane. Ne, nuk torturojmë njerëz.”

Shefi i shtatmadhorisë amerikane tha se procesi hetimor rreth këtyre abuzimeve do të shqyrtojë edhe njoftimet se disa roje ushtarake amerikane që punojnë në burgun Abu Ghraib dhe objekte të tjera, pretendojnë se autoritete të zbulimit ushtarak i kanë detyruar ata të poshtrojnë të burgosurit irakianë.

Zëdhënësi i Autoritetet të Përkohshëm të Koalicionit në Irak, Dan Senor, tha se ushtarakët që gjenden fajtorë nën këto akuza, do të ndëshkohen. Fakti se ushtarë amerikanë kanë abuzuar të burgosur irakianë, theksoi zoti Senor, prek sedrën e të gjithë amerikanëve, përfshirë shumicën dërrmuese të burrave dhe grave që shërbejnë në radhët e forcave ushtarake në Irak.“

Presidenti Bush thotë se ndjen një indinjatë shumë të thellë lidhur me mënyrën sesi janë trajtuar ata të burgosur: “Ajo nuk është mënyra sesi veprojmë në Amerikë dhe si rrjedhim jamë shumë i pakënaqur. Por, në të njëjtën kohë, kërkoj të theksoj se ata pak njerëz që janë angazhuar në akte të tilla, nuk pasqyrojnë natyrën e burrave dhe grave që kemi dërguar me shërbim në vende të tjera.”

XS
SM
MD
LG