Lidhje

ODHIR dhe Komisioni i Venecias japin rekomandime për procesin zgjedhor në Shqipëri - 2004-05-05


Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të Drejtat e njeriut, ODHIR dhe Komisioni i Venecias, një institucion juridik i Këshillit të Europës, i kanë paraqitur autoriteteve dhe forcave politike shqiptare një projekt me rekomandime për përmirësimin e Kodit dhe administratës zgjedhore. Rekomandimet përfshijnë një numër të gjerë çështjesh të cilat cilësohen të rëndësishme dhe domethënëse për tu trajtuar. Ekspertët ndërkombëtar saktësojnë se çdo përmirësim do të përcaktohet nga vullneti politik i partive dhe institucioneve shqiptare.

Edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parashikuara për vitin 2005 do të paraprihen nga ndryshime të reja në kodin zgjedhor, ndonëse ai u miratua me konsensusin e partive shqiptare vitin e shkuar. Pas disa sugjerimeve të paraqitura nga presidenti Alfred Mosiu pas konsultimeve me një grup figurash të njohura të vendit, autoritetet shqiptare dhe forcat politike kanë në duar tashmë edhe një projekt të detajuar rekomandimesh të bëra nga Komisioni i Venecias dhe Odihr. Janë 30 faqe me vlerësime dhe analiza të problemeve që lidhen me kodin dhe administratën zgjedhore. Sipas ekspertëve të këtyre dy organizmave në kodin zgjedhor disa amendamente ngrejnë shqetësim dhe kërkojnë qartësim. Ata saktësojnë se mbeten për tu trajtuar një numër çështjesh domethënëse dhe ekziston mundësia që ato të trajtohen para zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Sipas projektit të rekomandimeve disa prej mangësive vijnë prej formulimit të kodit dhe disa të tjera si pasojë e zbatimit praktik. Formimi i komisioneve zgjedhore dhe vendosja e kërkesave për votim me shumicë të cilësuar mbi çështje të rëndësishme përbëjnë një shqetësim madhor. Sipas kodit aktual komisionet zgjedhore u ndanë nën kontrollin e dy partive më të mëdha, gjë e cila sipas ekpertëve i ka siguruar dy forcave kryesore politike mundësinë për të bllokuar vendim-marrjen në komisionet e cdo niveli. Disa prej dispozitave të kodit, thuhet në project rekomandimet, nxisin një administratë të politizuar zgjedhore, për këtë arsye sugjerohet ngritja e komisioneve të paanshme, të pavarura dhe profesionale që veprojnë në mënyrë jo partiake dhe efektive.

Sipas rekomandimeve përmirësime duhen bërë edhe në afatet kohore lidhur me përgatitjen e listave të zgjedhësve, përcaktimin e qendrave të votimit dhe regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve. Shumë prej këtyre afateve thuhet në tekst nuk janë realiste për një administrim professional dhe efikas të zgjedhjeve. Zgjedhjet e mira kërkojnë përgatitje dhe përgatitja kërkon kohë.

Lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili vazhdon të jetë në qendër të debatit politik pasi opozita kërkon një ballancim të tij, ekspertët ndërkombëtar kanë shprehur shqetësim për kufizimin e numrit të kandidaturave dhe sugjerojnë përmirësime në proceduart e veprimtarisë së këtij komisioni. Dispozita kalimtare të përshtatshme dhe të hollësishme janë të një rëndësie kritike në veçanti për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përsa i përket listës së zgjedhësve, edhe kjo një pikë problematike që shkaktoi shumë polemika në votimet e fundit, sugjerohet që kodi të sigurojë hollësi për gjithë procesin e regjistrimit të zgjedhësve dhe përditësimit të listës. Gjithashtu një hap i parë i domosdoshëm në verifikimin e saktësisë së listave konsiderohet përcaktimi dhe publikimi i kufijve të zonës së qendrës së votimit dhe vendndodhjes së saj.

Ndërsa për çështjen e financimit të zgjedhjeve në projekt rekomandohet që rregullimi i shpenzimeve për fushatë dhe bërja publike e financimeve të përfshihen në një dispozitë të hollësishme për të siguruar financim e shpenzime transparente të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje.

Në Shqipëri prej vitesh është bërë tashmë e zakonshme që përpara çdo zgjedhjeje të rishikohet kodizgjedhor. Gjithnjë kjo është bërë me vulën e ekspertëve të Odihr-it dhe në fund është deklaruar se gjithshka i përshtate standarteve ndërkombëtare. Por në përfund të zgjedhjeve të radhës zbulohet se sërish kodi ka difekte dhe duhet rishikuar. E gjitha kjo është kthyer në një rreth vicioz që përsëritet pambarimisht. Ashtu siç thuhe t edhe në këtë project rekomandimesh të fundit, shkalla në të cilën çdo amendim në ligj do të ketë ndikim pozitiv do të përcaktohet nga niveli i mirëbesimit dhe vullnetit politik të partive dhe institucioneve shqiptare. Sepse në të vërtetë duket se përmirësimet e kodit zgjedhor në Shqipëri gjithnjë e më tepër janë bërë peng i hileve dhe kurtheve që prodhon politika.

//rd//

XS
SM
MD
LG