Lidhje

Tensioni i gjakut; Transplantim në sy - 2004-05-11


Tensioni i gjakut

Një studim i ri tregon se ata fëmijë e të rinj që kanë presion të lartë gjaku, ose hipertension, siç thuhet shpesh, me kalimin e viteve mund të ndeshen me probleme të rënda shëndetësore. Shtimi i rasteve të presionit të lartë të gjakut mes fëmijëve nxjerr edhe një herë në pah nevojën për parandalimin e mbipeshës trupore duke shtuar veprimtarinë fizike dhe duke ndryshuar dietën. Studime të njëpasnjëshme tregojnë se rastet e mbipeshës mes fëmijëve në Shtetet e Bashkuara po shtohen. Kjo për arsye se ata hanë shumë e lëvizin pak. Studimi i fundit tregon se duke shtuar në peshë, këta fëmijë rrisin edhe presionin e gjakut në organizmin e tyre. Profesori Paul Munter pranë universitetit Tulane thotë se rastet e presionit lartë të gjakut janë shtuar dukshëm mes fëmijëve dhe të rinjëve gjatë 15 vjetëve të fundit në Shtetet e Bashkuara. Doktor Munter dhe kolegët e tij analizuan presionin e gjakut mes 2 mijë fëmijëve të moshës 8 deri 17 vjeç. Këta fëmijë u përzgjodhën për të përfaqësuar të gjitha segmentet e moshës së tyre në mbarë vendin. Pastaj rezultatet u krahasuan me ato të një studimi të ngjashëm 15 vjet më parë mes 3 mijë fëmijëve. Doktor Munter thotë se nga krahasimi i rezultateve doli se veçanërisht presioni sistolik, ose numri më i lartë i presionit të gjakut u rrit 1 presje 4 gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare. Ndërsa numri i ulët i presionit të gjakut ose diastolik u rrit 3 presje 3. Studimi tregoi lidhje të forta midis mbipeshës dhe presionit të lartë të gjakut. Por shqetësimi tani është se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë me kalimin e viteve. Shqetësimi i parë, thotë doktor Munter, është se çdo të ndodh me ta gjatë 20 vjetëve të ardhshëm. A do të shohim një shtim epidemik të presionit të lartë të gjakut apo një vazhdim epidemik të presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës dhe bllokim të artereve. Ekspertët u befasuan edhe nga një rezultat tjetër i studimit. Ata vunë re se presioni i gjakut ishte më i lartë mes fëmijëve afrikano amerikanë dhe meksikano amerikanë. Doktor Munter thotë se nivelet e presionit të gjakut mes këtyre fëmijëve janë 2 deri 3 pikë më të larta sesa tek fëmijët e bardhë. Doktor Munter thotë se sfida tani është për ta ndryshuar prirjen e deritanishme duke i bindur fëmijët që të bëjnë më shpesh veprime fizike, të pakësojnë përdorimin e ushqimeve të përpunuara dhe të kripës në dietën e tyre dhe të kontrollojnë presionin e gjakut sa herë që shkojnë për vizitë tek mjeku. Shkencëtarët thonë se rezultatet e studimit në përgjithësi priteshin të tilla, por ajo që i befasoi ata ishte është përmasa e rritjes së shkallës së presionit të gjakut.

Transplantim në sy

Mjekët në një klinikë të Filadelfias po kryejnë një transplantim të rrallë të lenteve në sy duke eleminuar plotësisht syzet apo lentet kontakt të përdorura deri tani. Beti Tinney po lexon pa përdorur syze për herë të parë pas shumë kohësh. Ajo është një nga pacientet e para në Filadelfia e pajisur me lente kristale, një transplantim, i pari i këti lloji që jep të njëjtin rezultat si lentja origjinale e syrit. Doktor Frederik Kremer thotë se në moshën 40 vjeçare, lentet e syrit fillojnë të ndryshojnë. Pamja mjegullohet dhe leximi bëhet i vështirë. Lentet e reja kristale zëvëndësojnë lentet natyrale nëpërmjet një procedure të shpejtë e të lehtë kirurgjike. Pas disa javësh, Beti thotë se i është kthyer shikimi 100 përqind. Lentet kristale kthejnë shikimin si për larg dhe afër, ndryshe nga ndërhyrja me reze lazer që rregullon të parit vetëm për larg.

XS
SM
MD
LG