Lidhje

Drashkoviç: Të rifillojnë sa më shpejt bisedimet mes serbëve dhe shqiptarëve - 2004-05-11


Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Vuk Drashkoviç bëri thirrje për fillimin sa më shpejt të bisedimeve midis serbëve dhe shqiptarëve. Në një konferencë për shtyp që dha të hënën në Zërin e Amerikës, zoti Drashkoviç foli gjithashtu rreth formulës së re të paraqitur nga Beogradi për decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Uashington, zoti Drashkoviç ka patur takime me sekretarin e shtetit Colin Powell dhe me ligjvënës në Kongresin amerikan.

Në komentet që bëri për gazetarët në Zërin e Amerikës, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç tha se çështja e Kosovës është një plagë e hapur për të gjithë shqiptarët, serbët dhe për komunitetin ndërkombëtar.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të përpiqet për eliminimin e spastrimit etnik kundër serbëve që, siç tha ai, filloi në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas hyrjes së trupave të Natos. Zoti Drashkoviç, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë këtë po ashtu siç veproi për të ndalur spastrimin etnik të ndërmarrë nga ish Presidenti Sllobodan Millosheviç.

Duke reaguar ndaj komenteve të bëra para pak kohe në Zërin e Amerikës se Kosova duhet të jetë e pavarur, Ministri i Jashtëm Drashkoviç tha: ”Ne duhet t’i bashkohemi Evropës. Në të njëjtën kohë, rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit duhet të respektohet plotësisht. Kosova, tha ai, është në kuadër të Serbisë.

Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, përmendi si zgjidhje formulën e re të propozuar nga Beogradi për krijimin në Kosovë të 5 rajoneve me shumicë serbe të cilat të kenë një nivel të lartë autonomie.

Ai theksoi se plani i Beogradit është pritur ngrohtë gjatë takimeve të tij zyrtare në Uashington dhe se plani u pa si një pikë e mirë fillimi për bisedimet midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilat, sipas tij, duhet të fillojnë sa më shpejt. Uashingtoni, tha ministri i jashtëm serb, e mbështet planin e Beogradit sepse, shtoi ai, ky është i njëjti model që përdoret edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Duke shpjeguar vizionin e tij për të ardhmen e Ballkanit, zoti Drashkovic u shpreh se nuk duhet të ketë më kufij midis shteteve. Do të dëshiroja, tha ai, që të shkoja me makinë nga njëri vend tek tjetri pa parë asnjë ushtar në kufi.

Të premten e kaluar, zoti Drashkoviç u takua me sekretarin amerikan të shtetit Colin Powell dhe sipas diplomatëve, zoti Powell kishte theksuar rëndësinë që do të kishte bashkëpunimi i plotë i Beogradit me Gjykatën e Hagës.

Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara pezulluan ndihmën prej 25 milion dollarësh për Serbinë dhe Malin e Zi për shkak të mosbashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën e Hagës.

Zoti Drashkoviç tha se topi është tani në fushën e Beogradit dhe premtoi se Beogradi do t’i përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare. //kk//

XS
SM
MD
LG