Lidhje

Holkeri: Dhuna e marsit - goditja më e rëndë për UNMIK-un - 2004-05-11


Në një fjalim që mbajti sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri kritikoi udhëheqësit politikë të Kosovës, të cilët, tha ai, u treguan të ngadaltë në dënimin e sulmeve kundër objekteve fetare. Zoti Holkeri tha se vrasjet e muajit mars e kanë tronditur në themel misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në një fjalim që mbajti sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri e quajti dhunën që shpërtheu në muajin mars në Kosovë goditjen më të rëndë që kanë marrë përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së në pesë vitet e fundit.

Ai tha se vrasjet e kanë tronditur në themel misionin e Kombeve të Bashkuara dhe e kanë sfiduar vazhdimësinë e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për ndërtimin e një Kosove shumëetnike.

Në një raport të veçantë të paraqitur në Këshillin e Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan e cilëson dhunën e muajit mars si një përpjekje të qëllimshme për të dëbuar serbët dhe pjestarët e komunitetit rom dhe ashkali si dhe për të shkatërruar indin social të ekzistencës së tyre në Kosovë.

Zoti Holkeri tha se prokurorët në Kosovë kanë marrë në shqyrtim 130 raste që lidhen me këtë dhunë dhe se më shumë se 50 raste serioze u janë dorëzuar prokurorëve ndërkombëtarë.

Ai tha se shpejtësia me të cilën u përhap dhuna në Kosovë në muajin mars, e detyroi personelin e OKB-së atje që ti bënte një analizë vetvetes. Ai tha se Kombet e Bashkuara duhet të shikojnë ndoshta mundësinë e riorganizimit të strkturës së UNMIK-ut, por nuk dha hollësi të tjera.

I dërguari i posaçëm kritikoi udhëheqësit politikë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Bajram Rexhepi, të cilët, tha ai, u treguan të ngadaltë në dënimin e sulmeve kundër objekteve fetare.

Ai kritikoi edhe zyrtarët e qeverisë dhe mediat që nxorrën përfundime të nxituara lidhur me shkaqet e mbytjes së djemve shqiptarë, gjë që zemëroi banorët dhe luajti rol në shpërthimin e dhunës etnike.

Zyrtari i OKB-së tha se kushtet në Kosovë ende nuk janë pjekur për ti detyruar pjestarët e pakicave që të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Në një informacion që dha dje për diplomatët, zoti Holkeri thuhet se i bëri një vlerësim pesimist përparimit të realizuar nga UNMIK-u në Kosovë. Ai tha se duke e llogaritur në bazë të popullatës, misioni i OKB-së në Kosovë është më i kushtueshmi i këtij lloji në botë, edhe pse rezultatet e tij kanë qenë të kufizuara.

Në deklaratën e tij publike të bërë sot, ai paralajmëroi se mbetet shumë për të bërë në zbatimin e standardeve të OKB-së për Kosovën dhe ka mbetur pak kohë për realizimin e tyre.

Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç, e mori fjalën menjëherë pas fjalimit të zotit Holkeri.

Ai akuzoi komunitetin ndërkombëtar se nuk reagoi si duhet kur shpërtheu dhuna në muajin mars, duke bërë kështu që të inkurajoheshin vrasjet dhe shkatërrimi i pronave. Ai tha se Kosova mbetet një plagë e hapur për Serbinë dhe Malin e Zi.//ii

XS
SM
MD
LG