Lidhje

Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri rikthen shqetësimet për monopolet - 2004-05-12


Banka Qendrore e Shqipërisë njoftoi sot një ulje tjetër me 0,25 pikë përqindje të normës së interesit, në përpjekje për të lehtësuar goditjen që sjell rritja e cmimit të naftës, si dhe për të ulur ndikimin e kredive të shtuara mbi inflacionin. Këshilli Mbikëqyrës e mori këtë vendim pasi vërejti që inflacioni aktual është rreth 3,2% dhe parashikimet janë që ai të mos dalë nga kufijtë e 2-4% gjatë gjithë vitit.

Sipas një deklarate të publikuar, Banka ka parashikuar që rritja e përkohshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar do të ketë ndikim të moderuar edhe në rritjen e cmimeve në tregun shqiptar, fillimisht në transporte, e më pas në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve. Megjthatë pritet që efektet inflacioniste të çmimeve të rritura për karburantet, do të balancohen me rritjen e prodhimit bujqësor në periudhën e verës.

Rritja e çmimit të naftës ngriti edhe një herë tjetër në opinionin publik shqetësimin për monopolet e paligjshme që zotërohen në këtë sektor, ndonëse tregtarët pohuan se çmimet e reja janë thjesht reflektim i rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Vlerësimet e Bankës Qendrore për rritjen e çmimit të naftës konfirmuan shqetësimin që shfaqi një ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës, në deklaratën e të cilit thuhet se rritja e menjëhershme e çmimit të naftës është spekulative. Sipas këtij institucioni të sapokrijuar, vendimi i kompanive tregtare të naftës për të ngritur menjëherë çmimin e naftës është një shkelje ligjore, që nxjerr në dritë natyrën monopoliste të këtij biznesi me natyrën e kartelit.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, një tjetër shenjë ku shfaqen monopolet e naftës është edhe fakti që tregtarët nuk i ulin cmimet e naftës kur ato ulen në tregun botëror, por zbatojnë në Shqipëri vetëm rritjet e cmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Por vëzhgues të pavarur të ekonomisë theksojnë edhe një detaj të vecantë për tregun e naftës në Shqipëri. Këtu cmimi i naftës, sipas tyre, rritet gjithmonë në pranverë, periudhë kur zhvillohen një numër i madh tenderash për të furnizuar me karburante institucionet shtetërore.

Ndërkohë edhe drejtues të ministrisë së energjitikës zhvilluan sot një takim me përfaqësues të firmave importuese të naftës për të diskutuar situatën më të fundit, mundësitë e përdorimit të rezervave të naftës në depozita, dhe ndërhyrje të mundshme të kompanisë shtetëtore të naftës ARMO në treg.

XS
SM
MD
LG