Lidhje

Athina përgatitet për lojrat olimpike - 2004-05-12


Pas muajsh vonese në ndërtim dhe frikës se kryeqyteti grek nuk do të ishte gati për lojrat, kryeinspektori i Komitetit Olimpik, Denis Oswald, tha sot se dyshimet e tij janë zhdukur.

”Më parë Komiteti kishte dyshime për disa objekte, disa nga strukturat e ndërtimet, dhe unë jam shumë i lumtur të njoftoj se të gjithë këto dyshime janë zhdukur. Asnjë projekt i vetëm nuk ndodhet në rrezik të mos përfundojë dhe e dimë se çdo gjë do të dorëzohet në kohë”.

Kjo shjenjë e re besimi e zotit Oswald është një lehtësim i madh për Komitetin Organizator Grek. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka ushtruar trysni ndaj organizatorëve grekë për muaj me radhë që të shpejtonin përgatitjet e tyre për lojrat.

Kryetarja e Komitetit Organizator Grek, Gianna Anxhelopullos-Dhaskalaqis, foli mjaft, por nuk përmendi se Greqia ka humbur 3 vjet pasi i ishte besuar organizimi i lojrave, kryesisht, si pasojë e grindjeve politike në lidhje me marrjen e kontratave kryesore për ndërtimet. Por ajo tha se Greqia e fitoi kohën e humbur.

”Kemi kryer 7 vjet punë në vetëm katër. Ky është fakt; kjo është një provë se çfarë mund të bëjmë ne grekët, kur punojmë në mënyrë të përqendruar e profesionale”.

Vëmendje ka tërhequr vënia e çatisë prej xhami e çeliku mbi stadiumin olimpik - objekti qendror i lojrave. Montimi i saj delikat vazhdon me ritme të ngadalta. Gjysma e kubesë prej 70 metrash e lartë po rrëshqet në shinat e ndërtuara enkas për të. Shpejtësia e lëvizjes së saj është pesë metra në orë, ndërkohë që i duhet të përshkojë gjithsej 71 metra. Instalimi i saj filloi para dy ditësh.

Komiteti Olimpik kishte kërcënuar se do të ndërpriste montimin e çatisë, nëse kjo do të pengonte proceset e tjera ndërtimore në stadium në mënyrë që ky të ishte gati nga fundi i qershorit.

Ndërkohë, gjysma e objekteve sportive mbetet ende e papërfunduar. Projekte të rëndësishme si rrugë të reja e hekurudha mbetet të ndërtohen. Puna vazhdon pa ndërprerje 24 orë.

Kurse, përsa i përket sigurimit, megjithëse Greqia ka shpenzuar gati një miliard dollarë për të mbrojtur sportistët dhe spektatorët, tri bomba të vogla shpërthyen javën e kaluar pranë një komisariati policie, por pa shkaktuar viktima. Qeveria ka fajësuar radikalët vendas dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka hedhur poshtë që incidenti të ketë lidhje me lojrat. Megjithatë, sulmet kanë shkaktuar ankth në disa vende në lidhje me sigurimin e Lojrave Olimpike të Athinës.

XS
SM
MD
LG