Lidhje

Irak: trupat amerikane sulmuan një zonë përreth një xhamie shiite në qytetin Karbala - 2004-05-13


Trupat amerikane në Irak sulmuan një zonë përreth një xhamie shiite në qytetin Karbala në pjesën jugore të vendit për të eliminuar besnikë të armatosur të klerikut kryengritës Maqtada al-Sadër, të cilët, thonë ata, po e përdornin këtë godinë për të magazinuar armë.

Sulmi u ndërmor ndërkohë që kleriku i kërkuar u zotua të vazhdojë luftën e tij kundër forcave amerikane, por la gjithashtu të kuptohej se mund të pranojë një zgjidhje paqësore.

Milicët e armatosur hapën zjarr nëpër rrugët e Karbalës, një prej qyteteve më të shenjta të sektit mysliman shiit, vetëm disa orë pasi ushtarët e koalicionit të mbështetur nga tanke dhe forca ajrore sulmuan kompleksin e një xhamie. Ushtria amerikane tha se xhamia po përdorej për të magazinuar armë dhe për të strehuar besnikët e armatosur të klerikut Maqtada al-Sadër.

U njoftua se të paktën 20 milicë u vranë gjatë përleshjeve, të cilat, thanë korrespondentët në Karbala, bënë që pasuesit e armatosur të klerikut al-Sadër të strehohen në një xhami të rrethuar nga tanket amerikane.

Gjatë një konferencë të rrallë shtypi në Naxhaf, kleriku 31 vjeçar, i cili vazhdon të jetë mos përfillës, duket gjithashtu se i zbuti thirrjet e tij të mëparshme drejtuar përkrahësve të tij për të ndërmarrë luftë kundër koalicionit. Ai shtoi se vendimi për shpërbërjen e milicive besnike të tij duhet të meret nga klerikë më të lartë, por ai do t’i bindej një urdhëri të tillë.

Dje vonë, në Naxhaf u dëgjuan shpërthime të fuqishme në atë që banorët thanë se dukej se ishte një inkursion i forcave amerikane në atë qytet.

Në Washington, presidenti Bush, ashtu si amerikanët në gjithë vendin, reagoi ndaj vrasjes mizore të regjistruar në video kasetë të një amerikani civil në Irak nga ekstremistë islamikë të cilët e cilësuan atë si një hakmarrje për abuzimin e të burgosurve irakianë nga ushtarë amerikanë.

“Nuk ka justifikim për ekzekutimin brutal të Nicholas Berg.”

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, shkoi përsëri në kongres për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi hetimet rreth ngjarrjeve që çuan në marrjen e fotografive të të burgosurve irakinë lakuriq në pozicione poshtëruese. Reagimi i tij:

“I tronditur, i shtangur dhe i neveritur. Ne e dimë se kjo nuk na pasqyron ne realisht, por në botë veprimet që shihen në fotografi po trajtohen si përfaqësuese të vendit tonë.”

Pasi pa disa fotografi dhe video që Pentagoni nuk i ka bërë ende publike, senatori demokrat Bill Nelson tha se imazhet ngrenë pikpyetje se sa lart në komandë shkon përgjegjësia rreth abuzimit të të burgosurve.

“Ekzistojnë shembuj të qartë në video të trajtimeve çnjerzore. Në një fotografi të veçantë shikohen njerzit të lidhur në dysheme dhe pranë tyre shihen 7 ose 8 pjesëtarë të forcave të armatosura. Unë nuk mund ta besoj se këto abuzime u kryen midis 7 ose 8 ushtarëve amerikanë.”

Këto abuzime janë në qendër të disa hetimeve. Ushtria amerikane njoftoi se janë shtuar edhe dy ushtarë të tjerë me gradë të ulët në listën e 7 ushtarëve që do të dalin në gjyq në lidhje me abuzimin e të burgosurve irakianë.

//ze//

XS
SM
MD
LG