Lidhje

Iraku dhe fushata elektorale - 2004-05-13


Iraku vazhdon të mbizotërojë debatin e fushatës për zgjedhjet presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara.

Skandali i keqtrajtimit të të burgosurve irakianë po mbizotëron debatin e politikës së brendshme, jo vetëm në sallat e kongresit amerikan, por edhe në fushatën e zgjedhjeve presidenciale.

Kandidati i Partisë Demokrate për president, senatori nga Masachusets, John Kerry, tha se skandali kërcënon të minojë çdo gjë që Shtetet e Bashkuara po bëjnë në Irak. Ai u intervistua nga rrjeti televiziv MSNBC. “Ky skandal i ka vënë trupat tona në një rrezik shumë të madh. Ky është si një mjet i tmerrshëm rekrutimi për terroristët. Krijon një zbrapsje në luftën kundër terrorizmit. Mendoj se unë mund të drejtoj një luftë më të efektshme kundër terrorit. Besoj se mund të siguroj pjesëmarrjen e vendeve të tjera në koalicion”, tha zoti Kerry.

Presidenti Bush ka premtuar një hetim të hollësishëm të abuzimeve të të burgosurve dhe është zotuar se drejtësia do të çohet në vend kundër personave që do të shpallen fajtorë për abuzimet.

Por shqetësimi i publikut lidhur me gjendjen në Irak është shtuar edhe më shumë nga imazhet shqetësuese të një skenë tepër brutale, në të cilën terroristët i prenë kokën një kontraktori amerikan, duke thënë se po hakmerreshin për skandalin e abuzimit të të burgosurve.

Presidenti Bush e dënoi vrasjen e amerikanit Nicholas Berg. “Synimi i tyre është që të trondisnin vendosmërinë tonë. Synimi i tyre është që të trondisin besimin tonë. Megjithatë, me veprimet e tyre, ata na kujtojnë se sa të dëshpëruara janë disa pjesë të botës për të krijuar shoqëri të lira e paqësore. Prandaj ne do të përfundojmë misionin tonë, detyrën tonë”, tha presidenti.

Anketat e opinionit publik tregojnë se gjendja në Irak po ndikon në popullaritetin e presidentit Bush tani që kanë mbetur më pak se 6 muaj nga zgjedhjet presidenciale. Por në të njëjtën kohë, shumë votues duket se po e rezervojnë gjykimin e tyre në se janë dakort me idenë që zoti Bush të zëvëndësohet nga senatori Kerry.

William Schneider është analist politik në Institutin Amerikan Enterprise këtu në Washington. “Amerikanët po ngrenë disa pikëpyetje shumë të rëndësishme rreth presidentit Bush. Miratimi i publikut për punën e presidentit ka rënë në 49 përqind dhe është fare afër pikës së dështimit për t’u rizgjedhur. Megjithatë, amerikanët nuk janë gati të mbështesin senatorin John Kerry. Presidenti ka ngritur pikpyetje në mënyrë të efektshme ndaj zotit Kerry.”

Këto pikëpyetje janë ngritur kryesisht në reklamat televizive, që kanë kushtuar 60 milion dollarë për fushatën e presidentit Bush dhe kanë vënë në dyshim qëndrimet e senatorit nga Masachusets lidhur me sigurimin kombëtar. Përkrahësit e zotit Kerry, nga ana e tyre, kanë ndërmarrë një fushatë reklamash me synimin për t’i njohur votuesit se kush është John Kerry si individ dhe cilat janë qëndrimet e tij për çështje të ndryshme si kandidat.

Senatori Kerry ka folur këtë javë rreth kujdesit shëndetësor, ndërkohë që presidenti është përqëndruar tek arësimi. Por në pjesën më të madhe, fushata presidenciale është përqëndruar në ngjarrjet në Irak.

Analistja e anketave të opinionit publik, Karlyn Bowman thotë se për momentin shumica e amerikanëve duket se janë të gatshëm për ta përfunduar misionin në Irak. “Tani për tani, njerzit nuk janë të bindur se ne do të fitojmë ose se jemi gati të bëjmë ç’është e mundur për të fituar, e as në se ne po humbasim. Është më se e qartë se amerikanët nuk janë gati që të kërkojnë tërheqjen nga Iraku, megjithëse mezi e presin një gjë të tillë.”, thotë analistja.

Megjithatë zonja Bowman thotë se rezultatet e anketave të opinionit publik mund të ndryshojnë fare kollaj varësisht nga ngjarjet në Irak, i cili mund të shndërohet në një faktor përcaktues në fushatën zgjedhore. Tani për tani mbështetja për presidentin Bush dhe rivalin e tij shumë të mundshëm, senatorin Kerry, është thuajse e njëjtë.

//rd//

XS
SM
MD
LG