Lidhje

Ekspedita që ndryshoi Amerikën - 2004-05-15


200 vjet më parë (14 maj) një ekspeditë e kryesuar nga Merriwether Lewis dhe William Clark filloi një periudhë dy vjeçare zbulimesh, që ndryshoi përgjithmonë Amerikën. Gjatë disa javëve të ardhëshme do të ndjekim udhëtimin e Lewis-it dhe Clark-ut dhe do t’i hedhim një vështrim Amerikës së sotme. Ka ende pjesë të hapura dhe të lira të asaj rruge, ashtu si në vitin 1804, por pjesë të tjera janë transformuar plotësisht. Dhe kështu fillojmë serinë Ekspedita e Zbulimit.

Shtetet e Bashkuara ishin një vend i ri, por kishin filluar të shtriheshin drejt perëndimit. Në vitin 1804, Presidenti Thomas Jefferson, një njeri novator dhe kurioz, ngarkoi një ekspeditë për të eksploruar të panjohurat e mëdha të perëndimit amerikan. Ai e bëri këtë kryshisht për arsye praktike, thotë historiani Ronald Grim. "Ekspedita e Lewis-it dhe Clark-ut u dërgua nga Thomas Jeffersoni për të eksploruar pjesën veriore të teritorit të Luizinës, pasi Jeffersoni kishte plane të mëdha për shtrirjen e Shteteve të Bashkuara në gjithë kontinentin amerikan".

Në një nga transaksionet më të mëdha të tokës në histori, që është Blerja e Luizianës, Franca u shiti Shteteve të Bashkuara teritoret perëndimore nga Lumi Mississippi deri në Malet Shkëmbore. Objektivi i ekspeditës ishte gjetja e rrugëve ujore nga lindja e Shteteve të Bashkuara deri në Oqeanin Paqësor me qëllim që të hapej tregtia.

"Ky ishte një eksplorim i të panjohurës, një ndjenjë e ngjashme me atë që mund të kenë patur astronautët", thotë historiani.

Jeffersoni zgjodhi sekretarin e tij personal, Merriweather Lewis, që të kryesonte atë që e quajti Korpusi i Zbulimit. Nga ana e tij Lewisi zgjodhi kapitenin me përvojë William Clark, si anëtar të ekspeditës.

"Lewisi dhe Clarku ishin dy njerëz që i përshtateshin mirë njeri tjetrit. Clarku ishte më praktik dhe merrej me topografinë dhe hartat. Lewisi ishte më tepër idealist dhe më spiritualisti nga të dy".

Me një varkë, disa dhjetra burra u nisën nga St. Louisi, duke lunduar përgjatë lumit, kundër rrjedhës. Një nga objektivat e tyre kryesore ishte të vendosnin kontakte me fiset vendase indiane gjatë rrugës. Lewisi dhe Clarku e dinin se suksesi i tyre varej nga udhëtimi i sigurt nëpër teritoret e këtyre banorëve autoktonë. Në dimrin e vitit 1804, Korpusi i Zbulimit ngriti një fortesë në fshatin indian Mandan, në afërsi të atij që është sot qyteti Bismarck në Dakotën e Veriut. Tim Mc Laughlin është historian dhe ciceron në Fort Mandan. Ai thotë se Korpusi i Zbulimit u mbështet tek indianët për të shkëmbyer artikuj të nevjave të përditëshme. "Kjo ishte një praktikë shumë popullore dhe kovaçët bënin shumë nga këta artikuj për t’i shkëmbyer me misër, kungull, luledielli, e kështu me radhë", thotë historiani.

Ishte pikërisht gjatë atij dimri në Fort Mandan, kur një grua e re indiane u bashkua me Korpusin e Zbulimit. Sacagawea ishte një aleate e pazakontë, që e shpëtoi më pas ekspeditën më shumë se në një rast, thotë drejtori i muzeumit, David Borlaug.

Dimrin e vitit 1805 ekspedita ishte në prak të dështimit. Duke udhëtuar nga toka dhe nëpër dëborë, ata kapërcyen Malet Bitterroot deri sa arritën në rrjedhën e lumit Columbia që do t’i çonte ata në Oqeanin Paqësor.

Lewisi dhe Clarku nuk mundën ta gjenin atë rrugë ujore që kishin shpresuar për të shkuar në Oqeanin Paqësor. Por ata bënë studime shkencore për florën dhe faunën që gjetën në zonat ku kaluan. Ata vendosën gjithashtu marrëdhënie miqësore me fiset indiane, që për fat të keq nuk zgjatën shumë.

Lewis-i dhe Clark-u synonin të gjenin një rrugë ujore përmes kontinentit që nga Oqeani Paqësor në atë Atlantik. Ishte Lumi Missouri ai që Lewis-i dhe Clark-u besonin se do t’i çonte deri në perëndimin e largët. Siç dihet tani një rrugë e tillë nuk ekzistonte. Të shtunën e ardhëshme do t’ju njohim me përpjekjet e ekspeditës në kërkim të kësaj rruge dhe me ndërtimet moderne që janë bërë mbi këtë lumë e që i kanë ndërruar pamjen mjedisit përreth.

//rd//

XS
SM
MD
LG