Lidhje

Helikopterë izraeli sulmuan për të dytën natë qytetin e Gazës - 2004-05-16


Izraeli ndërmori për të dytën natë sulme me helikopterë në qytetin e Gazës, duke plagosur të paktën 4 palestinezë. Sulmet u kryen disa orë pasi rreth 100 mijë izraelitë u mblodhën në Tel Aviv për të kërkuar tërheqjen e menjëhershme izraelite nga Rripi i Gazës, ku 13 ushtarë izraelitë u vranë gjatë ditëve të fundit.

Në sulmin më të fundit izraelit, pak pas mesnatës, dëshmitarët palestinezë thanë se raketat izraelite goditën një ndërtesë të përdorur nga lëvizja Fatah e udhëheqësit palestinez Jaser Arafat. U sulmua edhe zyra e një gazete pro Hamasit.

24 orë më parë, helikopterë izraelitë qëlluan me raketa shtëpinë apo zyrën e një udhëheqësi të Xhihadit Islamik në Qytetin e Gazës, mesa duke në përpjekje të dështuar për ta vrarë atë.

Pak më pas, helikopterët qëlluan me raketa shtëpinë e një komandanti të lartë ushtarak të Xhihadit Islamik në Rafah të Gazës jugore. Edhe ai shpëtoi pa pësuar gjë.

Ndërkohë Gjykata e Lartë e Izraelit ndaloi ushtrinë që të shkatërrojë shtëpi të tjera palestineze në kampin e refugjatëve Rafah derisa anëtarët e gjykatës së diskutojnë mbi këtë çështje sot. Ushtria izraelite ka shkatërruar ndërtesa të ndryshme për të zgjeruar një koridor të patrulluar nga izraelitët përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thanë se mbi 1 mijë palestinezë kanë mbetur pa strehë si pasojë e shkatërrimit të shtëpive të tyre të enjten dhe të premten.

Ndërkohë, palestinezët përkujtuan me pikëllim 56 vjetorin e themelimit të Izraelit, ditë të cilën ata e cilësojnë si katastrofë. Gjatë një fjalimi që u transmetua nga televizioni, presidenti palestinez, Jaser Arafat, u bëri thirrje palestinezëve të vazhdojnë qendresën kundër pushtimit izraelit, por ai tha gjithashtu se populli i tij është i angazhuar për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qendrueshme me Izraelin.

//ze//

XS
SM
MD
LG