Lidhje

Sekretari Powell u bëri thirrje palestinezëve të marrin nën kontroll territoret që do t’u kthehen nga Izraeli - 2004-05-16


Sekretari Powell tha se diskutoi rreth planit izraelit për tërheqjen e vend-banimeve në Gaza me kryeministrin palestinez, Ahmed Kureja të shtunën në Jordani. Duke folur në programin This Week të rrjetit televiziv amerikan ABC, sekretari Powell tha se palestinezët duhet ta mirëpresin këtë hap dhe të përgatiten për të.

“Tani, ky është eliminimi aktual i vend-banimeve, diçka që njerzit kanë kërkuar për gjithë këto vite. Dua që palestinezët të bëhen gati për këtë transferim territori, të bëhen gati për të marrë përgjegjësitë për Gazën si dhe përgjegjësitë e sigurimit në Gaza dhe të bëhen gati për t’u angazhuar përsëri në bisedimet e paqes në mënyrë që të diskutojmë rreth çështjeve të statusit përfundimtar që janë aq të rëndësishme dhe që duhen zgjidhur nga të dyja palët.”

Plani i paqes i hartuar nga komuniteti ndërkombëtar e i njohur edhe si Harta Rrugore bën thirrje për krijimin e dy shteteve të veçanta.

Ndërkohë, Mbreti i Jordanisë Abdullah shprehu besimin se administrata e presidentit Bush e mbështet me të vërtetë zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet krijimit të shtetit palestinez, që do të ekzistonte në paqe krah për krah Izraelit. Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara përballen me një problem imazhi në rajon.

“Perceptimi është se Shtetet e Bashkuara nuk janë të drejta dhe të balancuara për sa i përket çështjes në Lindjen e Mesme, që është konflikti izraelito-palestinez. Po të shtohet edhe Iraku, fatkeqsisht njerzit parafytyrojnë tanket izraelite dhe palestinezët si dhe tanket amerikane dhe irakianët.”

Mbreti Abdullah shprehu mendimin se për shumë arabë në rajon, Iraku nuk është aq i rëndësishëm sa zgjidhja e krizës midis Izraelit dhe palestinezëve. Por ai shtoi se mendon që palestinezët janë në pozitë të dobët negociuese sepse qeveria e tyre nuk është e bashkuar.

“Ekziston një mundësi për qeverinë palestineze që të vihet në rrugën e duhur. Në se shoqëria politike palestineze është tepër e zënë duke konkuruar mes njeri tjetrit, atëhere ata do ta humbasin këtë mundësi.”

Mbreti Abdullah theksoi se zgjidhja e kësaj çështje do të ndihmojë në luftën globale kundër terrorizmit. Ai shtoi se vendet arabe janë gati ta pranojnë Izraelin, siç u shpreh ai, si pjesë të komunitetit, për deri sa Izraeli t’u ofrojë një të ardhme palestinezëve.

//ze//

XS
SM
MD
LG