Lidhje

Vietnami vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut - 2004-05-17


Gjatë ceremonive të zhvilluara më 11 maj në Kongresin amerikan, anëtarë të Kongresit, udhëheqës të sindikatave të punëtorëve, përfaqësues të komunitetit vitnamez dhe veprimtarë ritheksuan mbështetjen e tyre për lëvizjen paqësore për të drejtat e njeriut në Vietnam.

Më 11 maj 1990, një mjek vietnamez, Dr. Vin Dan Ke botoi një thirje për kundërshtim paqësor ndaj qeverisë komuniste të Vietnamit. Për këtë zoti Ke u dënua me 20 vjet burgim. Ai u lirua në shtator 1998 me kusht që të largohej nga Vietnami. Por ai nuk pranoi ta bënte këtë.

Në mars 2003, Dr. Ke u ndalua përsëri pasi kritikoi shkeljet e të drejtave të njeriut nga qeveria vietnameze. Ai mbahet në izolim të plotë për më shumë se një vit e gjysëm dhe çështja e tij ende nuk është nxjerrë para gjyqit. Senatori amerikan George Allen nga Virxhinia tha se Dr. Ke ka bërë një zgjedhje të guximshme:

“Dr. Ke ka zgjedhur të vazhdojë dënimin me burg për përpjekjet e tij që të tërheqë vëmendjen mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Vietnam, në vend që të shkonte në mërgim, pasi ai mendon se mërgimi nuk është liri,” tha senatori Allen.

Dr. Ke nuk është i vetmi vietnamez që mbahet në burg, pasi është përpjekur të ushtrojë të drejtat bazë të njeriut. At Thadeus Vin Van Li u dënua me 15 vjet burgim dhe pesë vjet arrest shtëpie pasi i dorëzoi dëshminë e tij Komisionit amerikan për Lirinë Ndërkombëtare të Besimit. Ligjvënësja amerikane Loreta Sançez nga Kalifornia thotë se arrestimi i tij thekson dështimin e Vietnamit për të respektuar të drejtat themelore të shtetasve të tij, përfshirë edhe lirinë e fjalës:

“Shqetësohem veçanërisht nga fakti se At Li është burgosur thjesht sepse i dha dëshmi këtij Kongresi për shkeljet që bëhen në Vietnam,” tha ligjvënësja Sançez.

Gjendja problematike e të drejtave të njeriut në Vietnam është dokumentuar nga vëzhgues të pavarur të të drejtave të njeriut. Por mbetet për t’u parë nëse qeveria vietnameze do të marrë masa për të përshtatur praktikat e saj në fushën e të drejtave të njeriut me standartet ndërkombëtare. Siç ka thënë ambasadori amerikan në Vietnam Raymond Burgrhard, vetëm duke mbrojtur sa më mirë të drejtat e njeriut, duke u përpjekur realisht për të shtuar transparencën dhe kërkesën e llogarisë, dhe duke u dhënë më shumë fuqi qytetarëve të tij, Vietnami mund të arrijë synimet e tij për t’u bërë një shoqëri e begatë, e qëndrueshme dhe e suksesshme. //ad//

XS
SM
MD
LG