Lidhje

Administrata amerikane mbron politikat e saj në Irak - 2004-05-17


Administrata e presidentit Bush po mbron si brenda ashtu edhe jashtë vendit politikat e saj në Irak. Sekretari i Shtetit Colin Powell u vu në krye të këtyre përpjekjeve gjatë fund-javës, duke u këshilluar me udhëheqës arabë në Jordani dhe duke dhënë intervista për një numër rrjetesh televizive amerikane.

Dhuna në Irak dhe zbulimi i keqtrajtimit të të burgosurve irakianë nga ushtarët amerikanë ishin temat kryesore në intervista. Sekretari Powell iu përgjigj pyetjes se sa kohë do të qëndronin trupat amerikane në Irak pas 30 qershorit kur qeveria e përkohshme do të marrë pushtetin. Ai i tha emisionit Fox News se mendon që forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë për një farë kohe pas asaj date:

“Ata e dinë dhe ne e dimë se do të ketë një periudhë të konsiderueshme kohore para se kushtet e sigurimit të jenë të tilla që e gjithë përgjegjësia të kalohet në duart e forcave irakiane të sigurimit,” tha Sekretari Powell.

Ai shtoi se Ministria irakiane e Mbrojtjes do të kontrollojë trupat e saj dhe se ushtarët irakianë do të jenë pjesë e një force shumë-kombëshe. Zoti Powell foli nga një vendpushim në Detin e Vdekur ku po merr pjesë në një takim të Forumit Ekonomik Botëror të organizuar nga Jordania. Takimi i dha mundësi Sekretarit të Shtetit të angazhohet drejtpërdrejt në përpjekjet për të qetësuar zemërimin që kanë shkaktuar në botën arabe provat për keqtrajtimet në burgun Abu Graib.

Ndërkohë që konferenca ekonomike po i afrohej fundit, një artikull i sapo-botuar i gjallëroi polemikat. Artikulli i revistës New Yorker citonte zyrtarë të paidentifikuar të shërbimeve të zbulimit, sipas të cilëve, Sekretari i Mbrotjes Donald Rumsfeld autorizoi personalisht përdorimin e teknikave të rrepta të marrjes në pyetje të të burgosurve në Irak.

Seymour Hersh, autori i artikullit, tha në programin Face the Nation të rrjetit CBS, se zoti Rumsfeld kishte miratuar që në Irak të përdorej një program sekret i cili po zbatohej për të marrë informacion nga të ndaluarit që i përkisnin rrjetit terrorist al-Kaida:

“Synimi ishte të përdoreshin disa metoda shumë të rrepta, njëra ishte poshtërimi seksual dhe tjetra ishte përdorimi i forcës fizike. Nuk po them se zoti Rumsfeld autorizoi veprimet që kemi parë gjatë javëve të fundit, por ai autorizoi intensifikimin e procesit të marrjes në pyetje në mënyrë që të nxirreshin sa më shumë të dhëna,” tha zoti Hersh.

Në një intervistë për të njëjtin emision, senatori nga Michigani Carl Levin, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, u zotua se këto akuza të reja do të hetoheshin nga Kongresi:

“Kryetari i Komisionit për Shërbimet e Armatosura më ka siguruar se do të zhvillohen seanca të gjera me dëshmi dhe se kjo është një temë e re në procesin që kemi filluar,” tha sentori Levin.

Kolegu i tij republikan në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, premtoi gjithashtu një proces të hollësishëm. Senatori Graham tha në emisionin Face the Nation se janë në rrezik struktura të rëndësishme:

“Këtu ngrihet pyetja nëse kemi të bëjmë me një burg të vetëm që ka dalë jashtë kontrollit apo me një sistem të tërë jashtë kontrollit,” tha senatori Graham.

Pentagoni i ka hedhur poshtë pohimet e artikullit të revistës the New Yorker. Një zëdhënës tha se artikulli është plot me gabime dhe theksoi se Departamenti i Mbrojtjes as nuk ka autorizuar dhe as nuk ka urdhëruar keqtrajtimin e të burgosurve irakianë. //ad//

XS
SM
MD
LG