Lidhje

Pauell: skandali nuk do t’i bëjë zyrtarët amerikanë të hezitojnë - 2004-05-17


Sekretari i shtetit Colin Powell premtoi se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë si duhet në trajtimin e skandalit lidhur me keqtrajtimin e të burgosurve në Abu Ghraib të Irakut. Siç njofton korrespondenti ynë David Gollust, Departamenti i Shtetit u shpreh ndërkohë se skandali nuk do t’i bëjë zyrtarët amerikanë të hezitojnë kur të flasin për shkeljet e të drejtave të njeriut në botë.

Zoti Powell e pranon se skandali i keqtrajtimit të të burgosurve irakianë bashkë me fotografitë makabre që tregojnë abuzimet e personelit amerikan të shërbimit, ka patur një ndikim jashtëzakonisht negativ mbi imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë.

Por ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka filluar tani të shikojë se si një vend demokratik arrin ta kapëcejë një periudhë zhgënjimi të madh dhe se çfarë mund të bëjë për të venë në vend një padrejtësi.

Duke folur në një ceremoni diplomimesh në Universitetin Wake Forest të Karolinës së Veriut, Zoti Powell u bëri thirrje studentëve që diplomoheshin që të përpiqen të veprojnë me drejtësi në të gjithë veprimet e tyre personale dhe profesionale, pavarësisht nga pasojat.

Ai përgëzoi ushtarakun amerikan Joseph Darby, i cili ishte i pari që foli për abuzimin e të burgosurve. Zoti Powell tha gjithashtu se u kishte deklaruar zyrtarëve arabë gjatë turneut të tij të fundjavës në Jordani, se ata do të shikojnë se si do të vihet në vend drejtësia.

Një ushtar veproi si duhet. Ai e kuptoi se po ndodhte diçka e gabuar dhe ai foli i pari. Ai u tha komandantëve, të cilët filluan menjëherë hetimet. Edhe unë u thashë zyrtarëve arabë se megjithë zhgënjimin e tyre të tanishëm për Amerikën, ata do të kenë rast të shikojnë se si do të veprojë Amerika, se si ky vend me vlera dhe me karakter, një vend që beson te drejtësia, do të verë në vend drejtësinë, se si një vend si ky yni nuk do të tolerojë veprime të tilla, tha zoti Powell.

Zoti Powell i bëri komentet ndërkohë që Departamenti i Shtetit po nxirrte raportin mbi mbështetjen amerikane për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në botë - një shtojcë e raportit vjetor që analizon praktikat e çdo vendi në këtë fushë dhe që u botua muajin e kaluar. Zyrtarët e administratës e pranojnë se ata e shtynë botimin e raportit për shkak të reagimeve rreth keqtrajtimeve në burgun Abu Graib.

Zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut, ndihmës sekretari Lorne Craner, e cilësoi skandalin si një re që e ka errësuar punën që Shtetet e Bashkuara përpiqen të bëjnë në çështjen e të drejtave të njeriut.

Por ai tha se zyrtarët amerikanë janë të vendosur ta çajnë këtë re dhe nuk do të heqin dorë nga nxitja e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut.

Raporti prej 270 faqesh i Departamentit të Shtetit, i hartuar përpara shpërthimit të skandalit në burgun Abu Graib, përshkruan hapat që Shtetet e Bashkuara dhe organizatat e ndryshme me financim amerikan kanë ndërmarrë në Irak për kapërcimin e gjendjes jashtëzakonisht të rëndë të të drejtave të njeriut në vend nën regjimin e Saddam Husseinit.

Këto përfshijnë krijimin e një ministrie irakiane për të drejtat e njeriut, kualifikimin për zyrtarët e sistemit gjyqësor dhe të rendit, mbështetjen për dokumentimin e abuzimeve të së kaluarës dhe hedhjen e bazave për ndjekjen ligjore të shkelësve të të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu edhe vetë ish sundimtarin irakian.//ii

XS
SM
MD
LG