Lidhje

Interviste me Kristian Osterman, Qendra Willson - 2004-05-17


Ka disa vjet që qëndra Wodrow Wilson në Washington ka filluar një projekt për hartimin e historisë së plotë të luftës së ftohtë. Studiuesit thonë se ky projekt është një nismë ndërkombëtare prandaj edhe suksesi i tij varet nga bashkëpunimi i ngushtë me arkivat e vendeve ish komuniste. Kristian Osterman është drejtori i këtij projekti.

Zëri i Amerikës: Zoti Osterman, cili është qëllimi i projektit tuaj?

Z. Osterman: Qëllimi i projektit është bashkërendimi i punës kërkimore nëpër arkivat e vendeve ish komuniste kudo në botë. Projekti ndërkombëtar pranë qëndrës Widrow Wilson, që unë drejtoj u krijuar rreth 10 vjet më parë në kohën që arkivat e vendeve ish komuniste sapo kishin filluar të hapeshin. Deri në fillim të viteve 1990, shkrimet më të rëndësishme mbi luftën e ftohtë bazoheshin kryesisht në arkivat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore. Pra historia deri në këtë periudhë bazohej në dokumentat e njërës palë. Me shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, studiuesve iu krijua mundësia për të hyrë në arkivat e palës tjetër, në arkivat e vendeve ish komuniste dhe kjo krijoi mundësinë që historianët ta trajtojnë periudhën e luftës së ftohtë nga të dyja pikëpamjet.

Zeri i Amerikës: Çfarë vendi zë Ballkani, veçanërisht Shqipëria në këtë projekt?

Z. Osterman: Ballkani cilësohet si fushë-betejë e rëndësishme e luftës së ftohtë. Për këtë arsye, qysh me fillimin e projektit ne i kemi përqëndruar kërkimet tonë arkivore në këtë rajon. Kohët e fundit na është krijuar mundësia për të hyrë në arkivat e ish Jugosllavisë. Gjithashtu ne bashkëpunojmë ngushtë me studiues nga Shqipëria. Qëndra e re për studime mbi luftën e ftohtë e hapur në Tiranë është partnerja jonë kryesore përpjekjen për zbardhjen e historisë së luftës së ftohtë në këtë vend të Evropës jug lindore. Trajtimi i çështjes nën dritën e arkivave të Shqipërisë është me shumë rëndësi, prandaj studiuesve shqiptarë duhet t’u jepet leja për të bërë kërkime në atë pjesë të arkivit që lidhet me periudhën e luftës së ftohtë; leje që mua më duket se ata e kanë vështirë ta marrin tani për tani. Siç e dini në shumë vende ish komuniste arkivat janë hapur pa krijuar asnjë problem. Arkivi më i shfrytëzuar është ai i ish Gjermanisë lindore, ku dosjet e Partisë Komuniste dhe të qeverisë duke filluar nga viti 1945 deri më 1989 janë hapur thuajse të gjitha. Ne shpresojmë shumë për një bashkëpunim me studiuesit shqiptarë dhe me arkivin e shtetit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Arkiva të hapura do të thotë dosje të hapura?

Z. Osterman: Po, arkiva të hapura do të thotë dosje të hapura. Sigurisht ka kufizime në hapjen e arkivave, për arsye të sigurimit kombëtar. Edhe në Amerikë ka dokumente të arkivuara që publiku nuk lejohet t’i shohë. Por dokumentet e shumta rreth luftës së ftohtë, me mijëra faqe, shumë prej të cilave i përkasin një periudhe para 30 - 40 vjetësh, tani duhet të bëhen publike dhe studuesit duhen lejuar të shohin ato.

Zëri i Amerikës: Ka mbi 10 vjet që diktatura komuniste në Shqipëri është përmbysur dhe çështja e hapjes së dosjeve ende nuk është zgjidhur në mënyrë të kënaqëshme, veçanërisht për viktimat por edhe për ata që duan të studiojnë historinë. Disa thonë se shqiptarët megjithëse kanë mbijetuar diktaturën, ndoshta nuk janë gati për t’u ndeshur me të vërtetën e hidhur?

Z. Osterman: Nuk jam eskspert për Shqipërinë, por nga përvoja me vende të tjera ish komuniste mund të them se përballja me të vërtetën është gjithnjë e vështirë, por gjithashtru, si në shumë raste, publikimi i disa prej materialeve të periudhës komuniste, i lejon njerëzit, si viktimat dhe fajtorët që të marrin pjesë në sqarimin e gjërave. Përvoja ka treguar se hapja e arkivave apo dosjeve ndihmon në mbarëvajten e demokracisë në periudhën afatgjatë dhe fshehja e historisë gjithmonë sjell pasoja të dëmshme. Mendimi im është që dosjet dhe arkivat duhet të hapen për efekt studimi dhe për debate mes historianëve, pasi nga kjo do të përfitonte si Shqipëria ashtu dhe komuniteti ndërkombëtar. Ne tani po bashkëpunojmë me studiuesit dhe arkivistët shqiptarë. Ata kanë ardhur edhe në Washington në qëndrën Widrow Wilson për të diskutuar dhe për të shqyrtuar mundësinë e projekteve të mundshme që lidhen me këtë çështje. Shqipëria ka qënë një nga shoqëritë më të mbylluar gjatë periudhës së luftës së ftohtë, prandaj hedhja dritë në arkivat e saj paraqet interesim tepër të madh për historianët. Për shembull, Shqipëria ka patur marrëdhënie shumë të ngushta me Kinën dhe historianët e çështjeve kineze janë shumë të interesuar të hyjnë në thellësi të dokumenteve të asaj kohe që ruhen në arkivat e Shqipërisë. Një tjetër çështje me interes për studiuesit përbëjnë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, prandaj ne duam të dimë jo vetëm se çfarë thonë arkivat ish jugosllave por edhe arkivat shqiptare lidhur me atë periudhë. Në se arkivat dhe dosjet nuk hapen, rreziku është që historia e Shqipërisë gjatë periudhës së luftës së ftohtë të pasqyrohet duke u bazuar në arkivat e vende të tjera, si Kina, Rusia, ish Jugosllavia e të tjera, pra do të dilte një histori jo e plotë, e një anëshme dhe jo objektive. Një gjë e tillë nuk është aspak në interesin e Shqipërisë. Prandaj ka rëndësi që studiuesit dhe historianët shqiptarë të thonë fjalën e tyre në këtë debat ndërkombëtar mbi historinë e luftës së ftohtë. Pastaj mbi të gjitha, populli shqiptar ka të drejtë të njihet me të kaluarën e vet.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se keni siguruar përkrahjen e studiesve dhe historianëve shqiptarë lidhur me hapjen e arkivave, po qeveria çfarë roli luan në këtë drejtim?

Z. Osterman: Siç e dini, arkivat në Shqipëri janë instiucione shtetërore. Në këtë kuadër, para disa vitesh ne ftuam në Washington, zyrtarë të arkivit të shtetit shqiptar për të diskutuar mbi çështje të bashkëpunimit në të ardhmen. Siç kam dëgjuar nga kolegë të ndryshëm, ky proces vazhdon të jetë problematik lidhur me statusin e dokumenteve të arkivuara. Por unë mendoj se është me rëndësi që studiuesit t’i shqyrtojnë këto dokumente, t’i përdorin ato për libra historie dhe t’i botojnë në mënyrë, pasi kështu do të përcaktohej edhe statusi i tyre. Shpresoj që këto çështje do të zgjidhen së shpejti, gjë që do t’i lejonte studiesit shqiptarë të merrnin pjesë plotësisht në këtë projekt mbi historinë e një lufte 50 vjeçare.

Zëri i Amerikës: Falemnderit.

XS
SM
MD
LG