Lidhje

Izraeli izolon qytetin Rafah - 2004-05-17


Forcat izraelite përfunduan operacionin ushtarak për bllokimin e të gjitha hyrje-daljeve të qytetit Rafah nga pjesa tjetër e territorit palestinez në zonën jugore të Rripit të Gazës, pranë kufirit me Egjiptin.

Qindra trupa izralite të mbështetura nga tanket, buldozerët e blinduar dhe helikopterët luftarakë, hynë të hënën në mëngjes në Rafah dhe banorët filluan të largoheshin për shkak të frikës së shkatërrimit të shtëpive të tyre. Gjatë operacionit, ushtarët izraelitë shkëmbyen zjarr me palestinezë të armatosur, por nuk është njoftuar për ndonjë viktimë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i bëri thirrje Izraelit të ndalë operacionin dhe tha se shkatërrimi i shtëpive është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Më parë, Kryeministri palestinez, Ahmed Kureia u takua në Berlin me Këshilltaren amerikane të Sigurimit Kombëtar, Kondoliza Rajs dhe kërkoi që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa për ndalimin e operacionit izraelit.

Izraeli njoftoi të djelën për operacionet ushtarake, përfshirë planet për shkatërrimin e deri 200 shtëpive. Gjykata e Lartë e Izraelit e anuloi përkohësisht një vendim të sajin, që nuk lejonte prishjen e shtëpive përreth Rafahut dhe një kampi refugjatësh ngjitur me të. Izraeli tha se duhet të krijojë një zonë më të gjerë sigurimi përgjatë kufirit për të ndaluar futjen kontrabandë të armëve dhe për të ndaluar sulmet nga ana e ekstremistëve.

Në veri të Rafahut, helikopterët izraelitë qëlluan me raketa kundër një zyre në Qytetin e Gazës, e cila përdorej nga lëvizja politike e Presidentit Palestinez, Yasser Arafat. Dëshmitarët thonë se në ndërtesë në kohën e sulmit nuk kishte njeri dhe nuk pati edhe viktima.

Gjetkë, forcat izraelite u përleshën me kolonë hebrenj në bregun Perëndimor, të cilët u përpoqën të pengojnë shkatërrimin e kolonive të tyre të pautorizuara. Të paktën 20 kolonë u arrestuan.

XS
SM
MD
LG