Lidhje

Korrupsioni dhe shteti i dobët ligjor pengesat kryesore në Shqipëri - 2004-05-18


Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, të titulluar Mbështetja për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, thuhet se gjendja vazhdon të jetë më pak se ideale në Ballkan dhe Turqi.

Në raport thuhet se gjendja në Shqipëri vazhdon të jetë e rëndë në disa fusha, ku korrupsioni dhe shteti i dobët ligjor mbeten pengesat kryesore në përpjekjet për përmirësimin e të drejtave të njeriut. Përsa u përket zhvillimeve pozitive në Shqipëri, raporti thekson se zgjedhjet vendore të vitit të kaluar u vlerësuan si më të drejtat dhe më transparentet në historinë e saj demokratike.

Në Bosnje Hercegovinë, theksohet në raport, brutaliteti policor, kërcënimet politike, diskriminimi fetar dhe trafiku me qenie nnjerëzore vazhdojnë, megjithë përmirësimet që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes për Bosnjën në vitin 1995.

Në raport thuhet se gjendja në Maqedoni është përmirësuar. Numri i abuzimeve nga qeveria ka rënë dhe veprimet shtetërore për të luftuar trafikun me qenie njerëzore janë shtuar. Por, Departamenti i Shtetit thotë se korrupsioni në sistemin gjyqësor vazhdon të jetë problem.

Përsa i përket Turqisë, e cila po zbaton reforma me shpresë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, në raport thuhet se ajo ka bërë hapa për të pakësuar ndikimin ushtarak ndaj procesit politik dhe ka bërë të njohura incidentet e përdorimit të torturave. Qeveria ka miratuar një paketë reformash që mbulojnë çështje të tilla të të drejtave të njeriut si e drejta për të pasur avokatë, e drejta e një procesi të drejtë gjyqësor dhe liria e fjalës.

XS
SM
MD
LG