Lidhje

Luftime të ashpra në Irakun jugor - 2004-05-20


Luftime të ashpra janë njoftuar në qytetet Naxhaf dhe afër Kufas në Irakun jugor.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan gjatë natës shpërthime të fuqishme, ndërsa forcat amerikane luftonin me anëtarë të milicisë besnike të klerikut radikal shiit, Maqtada al-Sadër.

Më parë, forcat amerikane hynë në qendër të qytetit Karbala, por atje nuk kishte shenja të milicisë besnike të klerikut al-Sadër.

Një ndihmës i klerikur shiit tha se përkrahësit e tij dhe trupat e koalicionit po punonin për arritjen e një marrëveshjeje që të dyja palët të tërhiqeshin, pas më shumë se një muaj luftimesh në këtë qytet. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se e vetmja marrëveshje e pranueshme me klerikun Maqtada al-Sadër është dorëzimi i tij dhe shpërbërja e milicisë.

Këto zhvillime në Irakun jugor pasun shpërthimin e një makine bombë në Bagdad dje, që shkaktoi vdekjen e të paktën pesë vetave dhe plagosjen e një zyrtari të lartë irakian.

Shpërthimi ndodhi dje pranë shtëpisë së zëvendësministrit të brendshëm, Abdul Xhabar al-Sheikli, për të cilin thuhet se është në gjendje të qendrueshme në një spital të Bagdadit. Përveç autorit të sulmit, shpërthimi la të vdekur tri roje personale të zëvendësministrit dhe një fqinj të tij.

Për këtë sulm mori përgjegjësinë një grup që mendohet të udhëhiqet nga terroristi i Al-kaidës, Abu Musab al-Zarkavi. Ky grup njoftoi se organizoi edhe sulmin e së hënës, i cili shkaktoi vdekjen e presidentit të Këshillit Qeverisës dhe 6 personave të tjerë.

Po dje, gjenerali amerikan, Mark Kimit hodhi poshtë njoftimet se forcat amerikane janë tërhequr nga qendra e qytetit të shenjtë shiit Karbala. Gjenerali tha se disa prej forcave janë ripoziocionuar.

Dhe duke iu përgjigjur akuzave irakiane se një sulm i forcave amerikane në një zonë të izoluar parëndimore të Irakut la të vrarë rreth 40 të ftuar në një dasmë, gjenerali Kimit u tregoi gazetarëve fotografi të artikujve të marra nga vendi i ngjarjes. Mes artikujve janë dylbi, pasaporta të huaja, pajisje mjekësore dhe pajisje për fjetje për më shumë se 300 veta, të cilat mbështesin vlerësimet ushtarake se forcat kishin goditur një ndërtesë ku strehoheshin luftëtarë të huaj dhe jo civilë.

//ze//

XS
SM
MD
LG