Lidhje

Imigrantët myslimanë në Amerikë dhe lufta kundër terrorit - 2004-05-21


Një djalosh falet në xhaminë Dar Al-Hijrah në Falls Church të Virxhinias Veriore. Deri në mbrëmje, mijëra myslimanë do të falen në drejtim të Mekës në dyshemenë e xhamisë që ndodhet vetëm pak kilometra nga Washingtonit. Imami Johari Abdul-Malik, u jep fund lutjeve dhe u drejtohet të pranishmëve me një pyetje. ”Do të doja t’ju bëja një pyetje të thjeshtë: Sa nga ju njohin dikë që është ndikuar negativisht nga Akti Patriot dhe regjistrimi në emigracion. Ngrini dorën nëse njihni dikë që është prekur nga kjo. Juve apo dikush që njihni. Ju po më shikoni mua sikur të ishit në provim”, thotë kleriku mysliman.

Disa vetë ngrejnë duart me drojtje, pastaj numri i njerëzve që ngrenë duart shtohen. Imami Johari Abdul- Malik, thotë se klima e frikës ka përfshirë komunitetin. Shumë vetë hezitojnë të flasin.

”Është më tepër çështja e përshtypjes se sa vetë realiteti. Tek disa njerëz ka ndjenja frike dhe kërcënimi. Ndjej se myslimanët, si ata që kanë fituar shtetësinë amerikane edhe ata që kanë statusin e emigrantit, ndihen se janë xhveshur nga të drejtat themelore të njeriut. Ka një ndjenjë frike, dhe shumë njerëz më tregojnë se janë pyetur nga agjentët federalë për shumë gjëra”.

Disa nga të pranishmin pranuan të flasin, përfshirë këtu edhe Mohammedin, një emigrant nga Somalia.

”Komuniteti mysliman është ndikuar nga kjo. Afro një vit pas 11 shtatorit, pashë një kamion me targa që shkruante...t’i vrasim të gjithë.! U trondita. Pavarësisht se si erdhëm në këtë vend, të gjithë jemi qytetarë që paguajmë taksat dhe respektojmë ligjet. Akti Patriot i kapërcen caqet e lirisë dhe pavarësisë amerikane", thotë Muhamedi.

Një nga ligjet e para kundër terrorizmit të miratuar nga qeveria amerikane pas 11 shtatorit ishte Akti Patriot... Administrata e Presidentit Bush e cilëson këtë akt si ligjin themelor për sigurimin e vendit. Clifford May është president i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, një institut studimesh me qendër në Washington që përqendrohet tek lufta kundër terrorizmit.

”Akti Patriot ka përqëllim të bëjë dy gjëra që mendoj se janë shumë të rëndësishme. U jep organeve të rendit dhe agjencive të zbulimit, aftësitë që të komunikojnë me njëra tjetren. Gjithashtu u jep organeve të rendit të njëjtat mjete për të luftuar terrorizmin që përdorin për të luftuar krimin e organizuar. Nuk u jep atyre më shumë të drejta se kaq", thotë zoti May. Organet e rendit tani kanë në funksionim një numër mjetesh për t’i përdorur kundër të dyshuarve për terrorizëm, si përgjimet e telefonave apo të internetit, aftësitë për të kontrolluar bizneset dhe listat e librarive, dhe shtimin e kompetencave për të kontrolluar dhe bllokuar dokumente të ndryshme financiare. Marshall Fitz, i Fondacionit Amerikan për Avokatët e Emigracionit, grup i cili synon sigurimin e të drejtave të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, thotë se shumë dispozita të Aktit Patriot janë të pranueshme.

”Akti Patriot ka shumë dispozita. Shumë rregulla të cilat besoj se i kanë pranuar edhe të tjerët janë të domosdoshme. Këto klauzola pasqyrojnë një rishikim dhe shtrengim të ligjeve egzistuese. Shumë nga klauzolat janë të pakundërshtueshme. Megjithatë ka një numër klauzolash të debatueshme, disa prej të cilave lidhen me dhunimin e të drejtave të jetës private si për shtetasit edhe emigrantët”.

Zoti Fitz thotë se një shqetësim kyç është se si organet e rendit vendosin se çfarë përbën aktivitet terrorist. Si emigrantët ashtu edhe shtetasit mund të ndalohen, nëse ata në një farë mënyre ndihmojnë aktivitetet e ligjshme të një grupi, që mundë të ketë lidhje me terrorizmin, edhe nëse ata nuk e dinë një gjë të tillë.

Incidente të tilla kanë ngjallur frikën tek emigrantët myslimanë, dhe në Shtetet e Bashkuara tani po emigrojnë më pak myslimanë. Debati rreth Aktit Patriot dhe veprimeve antiterroriste të administratës po ashpërsohet ndërkohë që qeveria po përpiqet të vendosë një balancë ndërmjet luftës kundër terrorizmit dhe ruajtjes së lirive civile si për shtetasit amerikanë ashtu edhe për emigrantët.

XS
SM
MD
LG