Lidhje

Presidenti Bush do të paraqesë të hënën "një strategji të qartë për Irakun" - 2004-05-22


Të hënën presidenti Bush do të paraqesë atë që Shtëpia e Bardhë e cilëson një strategji të qartë për Irakun, në një fjalim që do të mbajë më pak se 6 javë para kalimit të planifikuar të sovranitetit një qeverie të përkohshme në Bagdad.

Në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë amerikane në Carlisle të shtetit Pensillvenia, presidenti Bush do të paraqesë planet e administratës së tij për Irakun, ndërkohë që Autoriteti i Përkohshëm i koalicionit përgatitet t’ia kalojë sovranitetin irakianëve më 30 qershor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Trent Duffy u tha gazetarëve në aeroplanin presidencial, se administrata e presidentit Bush po i afrohet një faze të rëndësishme në Irak.

Zëdhënësi tha se zoti Bush do të flasë rreth një numër çështjesh, përfshirë dorëzimin e pushtetit, sigurinë, zhvillimet e fundit në frontin diplomatik si dhe përpjekjet e rindërtimit, siç u shpreh ai, për ta mbajtur Irakun në rrugën e përparimit drejt demokracisë.

Ndërsa fjalimin presidenti do ta mbajë në orën 8 të mbrëmjes, zëdhënësi Duffy tha se Shtëpia e Bardhë nuk u ka kërkuar rrjeteve kryesore televizive amerikane që të ndërpresin transmetimet e tyre për të transmetuar drejtëpërdrejtë fjalimin e presidentit.

Rrjetet televizive me kabllo pritet ta transmetojnë fjalimin për audiencat amerikane dhe ato nëpër botë.

Në një fjalim që mbajti dje gjatë ceremonisë së diplomimit në Universitetin Shteteror të Luizianës, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga sulmet kundër amerikanëve.

“Ne jetojmë në kohë historike, në të cilat vullneti dhe karakteri i Amerikës po vihen në provë. Ne jemi në luftë me armiq, që kanë shumë ambicje shkatërrimtare, përfshirë edhe një objektiv të rëndësishëm: ata duan të përhapin ideologjinë e tyre të urrejtjes, duke i detyruar amerikanët që të tërhiqen nga bota të dobët dhe të frikësuar. Megjithatë ata po shikojnë se amerikanët nuk janë një popull që frikësohet. Kur ky vend angazhohet për diçka, ne sigurohemi që angazhimi bëhet realitet.”

Zoti Bush përsëriti angazhimin e tij për të vazhduar misionin në Irak, por nuk përmendi në mënyrë të veçantë shtimin kohët e fundit të dhunës apo skandalin në rritje të abuzimit të të burgosurve irakianë, zhvillime që kanë ndikuar në rënien e popullaritetit të presidentit në anketat e opinionit publik.

“Ne kemi një mundësi historike, krijimin e një Iraku paqësor dhe demokratik në zemër të Lindjes së Mesme. Një zhvillim i tillë do të bëjë që të zhduket një rrezik, do t’u japë një goditje të rëndë terroristëve dhe do ta bëjë Amerikën dhe botën më të sigurtë. Ne do ta përfundojmë misionin në të cilin kaq shumë njerëz kanë shërbyer dhe sakrifikuar. Madje bota mund të jetë më se e sigurtë se ne do ta mbrojmë lirinë dhe sigurinë e këtij vendi me çdo kusht.”

Të hënën mbrëma dhe në fjalimet që do të mbajë gjatë javëve të ardhshme, presidenti Bush pritet të diskutojë në hollësi rreth kalimit të pushtetit në Irak.

Në Kombet e Bashkuara në New York, Shtetet e Bashkuara dhe Britania po hartojnë një rezolutë të re, e cila siguron mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për qeverinë e re në Bagdad.

//ze//

XS
SM
MD
LG