Lidhje

Intervistë me analistin Albert Cevallos - 2004-05-22


Pas trazirave të marsit, duket se vazhdimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha. Sipas analistit Albert Cevallos, të Institutit Amerikan të Paqes, përfshirja e shoqërisë civile në dialog mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshje më të mirë midis palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Cevallos, pas dhunës së fundit në Kosovë disa zyrtarë fajësuan udhëheqjen kosovare për mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar përsëritjen e tyre. Në një kohë që UNMIK ka disa nga kompetencat më të rëndësishme nuk dëgjuam ndonjë deklaratë nga ana e ndërkombëtarëve për përgjegjësitë e tyre lidhur me këto trazira. A mendoni ju se po punohet si duhet në këtë drejtim?

Albert Cevallos: Është e rëndësishme të theksojmë se konfliktet rrallë ndodhin si pasojë e një shkaku të vetëm dhe kjo është e vërtetë për krizën e kohëve të fundit në Kosovë. Ajo u shkaktua nga disa shkaqe, ku përfshihet mungesa e një përgjigje të brendëshme, mungesa e një përgjigje të UNMIKut dhe KFORit. Për të qënë i drejtë duhet të them se autoriteti vendor është i kufizuar për shkak të kompetencave që i ka dhënë apo jo UNMIK-u. Media gjithashtu luajti rol, të rinjtë e pakënaqur luajtën rol, po kështu ndihma jo e mjaftueshme që komuniteti ndërkombëtar ka dhënë për Kosovën. Pra, ka një numër faktorësh që duhet të analizohen në këtë moment. Mendoj se ka shumë rëndësi që palët të mendojnë se ku po shkojnë, si do të arrijnë atje ku duan.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni ju formulën “standarte para statusit” për Kosovën. A mendoni se ajo do të funksionojë?

Albert Cevallos: Nuk mendoj se do të funksionojë. Ajo duhet të rishikohet. Është e rëndësishme që në një farë mënyre të vazhdohet me procesin e standarteve. Është e rëndësishme të theksoj se standartet që i kërkohen Kosovës nuk janë të ndryshme nga ato që kërkohen për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian apo të çdo shteti modern demokratik. Sesi do të arrihet aty nuk jam i sigurt megjithatë mund të them se sa më shumë të zgjatet procesi aq më shumë mund të keqësohet gjendja. Dhe mendoj se ka shumë rëndësi të theksoj faktin se shumë njerëz i tremben këtij procesi. Negociatat midis Kosovës, Serbisë, Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar do të jenë shumë të vështira. Por mënyra se si do të organizohen këto negociata ka shumë rëndësi. Një shembull i mirë për këtë është një nga projektet e institutit ku unë marr pjesë; duke vënë partitë politike dhe organizatat joqeveritare nga Kosova dhe Serbia në kontakt me njëra tjetrën. Disa nga këto takime kanë shkuar mirë dhe disa të tjera shumë keq. Dhe kjo është një provë e mirë që tregon se ka shumë rëndësi sesi e organizon takimin, cilat janë palët, kush është negociatori, cilat janë interesat që përfaqësohen. Të gjitha këto çështje duhen analizuar dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë këtë proces dhe të njëjtën gjë duhet të kuptojnë edhe udhëheqësit vendorë, por edhe njerëzit e thjeshtë, media, organizatat qeveritare në të dyja anët. Ata duhet ta kuptojnë se ky është një proces dhe se kuptimi i këtij procesi do të jetë shumë i rëndësishëm në vendosjen e statusit.

Zëri i Amerikës: A jeni optimist për dialogun?

Albert Cevallos: Ka shumë rëndësi përsëri sesi e organizon dialogun. Mënyra sesi ai është organizuar deri tani do të shkaktojë probleme. Udhëheqësit politikë në Kosovë nuk kanë autoritetin e mjaftueshëm për të negociuar, që do të thotë se homologët e tyre serbë kanë më shumë avantazh kur vjen puna për ekuacionin politik. Të gjithë e dinë se kjo përbën problem. Është me vënd të thuhet se disa nga udhëheqësit politikë si në Kosovë edhe në Serbi nuk janë gati ta zgjidhin këtë problem. Pra si do të vazhdohet, si do të fitohet mbështetja vendore? Një mënyrë është të sjellësh shoqërinë civile pasi janë ata që do të përfaqësojnë elektoratin, janë ata që mund të ndihmojnë për të negociuar më mirë. Historia e vendeve të tjera na tregon se shoqëria civile është shumë e rëndësishme për të arritur në negociata të drejta. Në Kosovë, në dialogun që është zhvilluar deri tani shoqëria civile është lënë jashtë. Si mund të presësh që procesi të pranohet nga një numër i madh i komunitetit nëse shoqëria civile nuk është pjesë e procesit?

Zëri i Amerikës: Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë kritikoi ashpër shtypin në Kosovë për mënyrën e paraqitjes së ngjarjeve të marsit. A ishte shtypi fajtor apo shkaqet janë më të thella?

Albert Cevallos: Media nuk ishte shkaktarja e vetme por ajo luan një rol të rëndësishëm. Nuk e kam lexuar në hollësi raportin por është e qartë se media e acaroi situatën jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi. Në se kërkon të ndërtosh një shoqëri demokratike duhet të kërkosh pikë së pari mbulimin me përgjegjësi të ngjarjeve, kjo është shumë e rëndësishme.

XS
SM
MD
LG