Lidhje

Bush-Kerry: “Lufta” e fondeve - 2004-05-22


Në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, senatori nga shteti Masaçusets John Kerry, ka demonstruar se mund t’i bëjë ballë presidentit Bush në mbledhjen e fondeve për këtë fushatë.

Senatori Kerry, cili pritet të jetë kandidati i partisë demokratikë në garën presidenciale, vetëm në muajin prill ka mbledhur rreth 30 milionë dollarë, dy herë më shumë se sa ka mbledhur presidenti Bush në të njejtën periudhë.

Deri tani, fushata e senatorit Kerry e cila ka mbledhur rreth 115 milionë dollarë vazhdon të jetë shumë prapa nga 200 milionë të mbledhur nga fushata e presidentit Bush.

Aftësia e senatorit Kerry për të mbledhur fonde është një sinjal se do të kemi një fushatë të ashpër zgjedhore deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, fushatë e cila gjithmonë e më shumë po dominohet nga Iraku dhe lufta kundër terrorizmit.

Kjo edhe ishte në qendër të një fjalimi të presidenti Bush në një ceremoni diplomimi në Univerzitetin Shtetëror të Luizianës.

“Ne do të përfundojmë misionin për të cilin shumë njerëz kanë shërbyer dhe sakrifikuar dhe bota duhet të jetë e sigurtë se ne do të mbrojmë lirinë dhe sigurinë e këtij, vendi pa marrë parasysh çmimin.”

Derisa përkrahu pëpjekjet për një Irak demokratik dhe të sigurtë, senatori Kerry nuk ka pushuar se kritikuari presidentin Bush për mënyrën se si ka udhëhequr me luftën në Irak dhe në luftën kundër terrorizmit. Ai komentoi para pak ditësh rreth këtyre çështjeve në një emision të rrjetit MSNBC.

“Unë mendoj se presidenti po bën gabime katastrofike për vendin tonë. Unë mendoj se mund të luftoj një luftë më efektive kundër terrorizmit dhe se mund të bëj çë më shumë vende të na bashkohen, tha zoti Kerry”.

Anketat e opinionit publik tregojnë se përkrahja ndaj presidentit Bush ka pësuar një rënie të dukshme pas trazirave në Irak dhe skandalit të keqtrajtimit të të burgosurve. David Frum, ish autor i fjalimeve të presidentit Bush i cili rishtazi ka shkruar një libër mbi luftën kundër terrorizmit, në një konferencë shtypi dhënë Zërit të Amerikës tha se presidenti duhet të vazhdojë t’u thotë amerikanëve se Iraku është qendër e luftës sonë kundër terrorizmit.

“Presidenti përsërit çdo ditë se Iraku është esencial në luftën kundër terrorizmit. Unë mendoj se kjo është absotulisht e saktë. Ka qenë pjesë e kësaj lufte që nga fillimi. Dhe nëse vazhdojmë të bindim publikun amerikan se presidenti ka të drejtë, atëherë ai fiton”, thotë zoti Frum.

Por zoti Frum thotë gjithashtu se lufta në Irak i jep një shanse të mirë edhe zotit Kerry.

“Nëse John Kerry arrin të ndaj luftën në Irak nga çdo gjë tjetër dhe të thotë se ne të gjithë jemi në favor të asaj pjesë të luftës e cila ishte e lehtë dhe e mirë por ne jemi kundër asaj pjesë të luftës e cila po paraqet vështirësi të papritura, t’i paraqesë këto si dy pjesë të ndryshme të cilat ne nuk duhet ti bëjmë. Nëse ai bind publikun në këtë çështje, atëherë Senatori Kerry do të ketë sukses”.

Të papriturat në Irak dhe ngritja e çmimeve të naftës në Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shtëpisë së Bardhë mjaft brenga vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Shqetësimet rreth Irakut kanë ndikuar në rëniën popullaritetit të presidentit në 42 dhe 46 përqind në dy sondazhet e fundit. Historikisht, popullariteti nën 50 përqind ka qenë tregues i problemeve politike të një presidenti i cili ka konkurruar për mandatin e dytë. //kk//

XS
SM
MD
LG