Lidhje

Një zyrtar i Bankës Botërore thotë se lufta kundër varfërisë në Shqipëri nuk ka patur suksesin e duhur - 2004-05-22


Që nga viti 1998, Shqipëria ka patur një rritje vjetore ekonomike prej më tepër se 7 përqind në vit, por nga kjo ka përfituar më tepër Tirana. Sfida tani mbetet se si nga kjo rritje ekonomike të përfitojnë edhe të varfërit në Shqipëri. Synimi ynë për nxjerrjen e njerëzve nga varfëria, nuk ka patur suksesin e nevojshëm, tha në një intervistë për “Ditarin” i ngarkuari i Bankës Botërore për Shqipërinë, Tim Gilbo.

Zëri i Amerikës: Zoti Gilbo, Banka Botërore ka disa projekte në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Si do ta vleronit ju ecurinë e zbatimit të këtyre projekteve gjatë viteve të fundit?

Tim Gilbo: Kohët e fundit Banka Botërore ka analizuar dhe vlerësuar efektivitetin e programeve të saj në Shqipëri. Kjo ka qenë një eksperiencë shumë pozitive dhe do të shtoja se jo vetëm puna e Bankës, por edhe ajo e palës shqiptare ka qenë në përgjithësi një shembull i mirë, se sa shumë mund të arrihet në një periudhë relativisht të shkurtër kohe. Do të theksoja se puna e palës shqiptare, me përjashtim të disa rasteve të veçanta, ka qenë në përgjithësi e mirë. Do të shtoja gjithashtu se gjendja ekonomike e vendit është e mirë, dhe se atje ka patur një rritje të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik. Pra, mund të them se projektet e Bankës Botërore kanë qenë të efektshme dhe se Banka do të punojë me të njëjtin ritëm edhe në të ardhmen. Një nga projektet që ka Banka në Shqipëri është në fushën e infrastrukturës, ku nevojat e vendit janë të mëdha. Investimet në infrastrukturë janë të nevojshme dhe marrin një rëndësi të madhe, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria ka hyrë në rrugën drejt pranimit në Bashkimin Evropian. Dua të theksoj se vija bregdetare është një nga pasuritë më të mëdha strategjike të Shqipërisë. Por organizimi i saj është i vështirë për shkak të ligjeve ekzistuese. Banka Botërore ka një projekt, i cili do të vazhdojë për një kohë të gjatë, për të cilin ne jemi entuziastë. Në fushën e transportit, Banka Botërore ka aktualisht 5 projekte për rrugët dhe do të kemi edhe një tjerë në të ardhmen. Dua të shtoj gjithashtu se Banka ka patur projekte të sukseshme në Shqipëri edhe në fushën e energjisë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në Shqipëri mbetet ende i pazgjidhur problemi i energjisë elektrike. Me çfarë programesh konkrete po e ndihmon Banka Botërore Shqipërinë për zgjidhjen e këtij problemi të ekonomisë?

Tim Gilbo: Banka Botërore ka një sërë projektesh në fushën e energjisë. Kohët e fundit Bordi i Bankës miratoi një projekt me një vlerë 25 milionë dollarësh, për ndërtimin e një termocentrali në Vorë, që është një financim i përbashkët me Bankën Evropiane për Rindërtimtin dhe Zhvillimin, BERZHI-n dhe Bankën Evropiane të Investimeve. Ky projekt synon ta përmirësojë gjendjen e energjisë në Shqipëri, që do të thoja se është përmirësuar së tepërmi që nga vitit 2002. Kemi gjithashtu një tjetër projekt rajonal për vitin tjetër, i cili do ta përmirësojë ndjeshëm gjendjen e sektorit energjetik.

Zëri i Amerikës: Si po ndihmon Banka Botërore në privatizimin e sektorit të energjisë?

Tim Gilbo: Sektori i energjisë është një sektor tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, veçanërisht duke u nisur nga fakti se problemet në këtë sektor mund të ndikojnë së tepërmi tek ekonomia në përgjithësi. Me projektet e saj, Banka Botërore po e përmirëson më tej sektorin e energjisë Përmirësimi i mëtejshëm i gjendjes së energjisë elektrike është një për parësitë kryesore të Bankës. Privatizimi i këtij sektori është një problem i komplikuar, por mendoj se kemi modele të mira në këtë fushë. Ne kemi disa projekte të përbashkëta në formën e ndihmës teknike, dhe po bashkëpunojmë me disa donatorë, si me qeverinë amerikne dhe atë italiane, me synimin për të hedhur bazat në këtë fushë, në mënyrë që elementë të tillë, si gjenerimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja e saj të privatizohen. Megjithatë, mund të them se mbetet ende shumë për të bërë.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet serioze me të cilat përballet Shqipëria është korrupsioni. Banka Botërore ka në Shqipëri një sërë porgramesh që kanë të bëjnë me reformën institucionale. Në çfarë aspektesh po e ndihmon Banka Botërore Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit?

Tim Gilbo: Korrupsioni është një fenomen i përhapur tek një numër i madh vendesh në zhvillim dhe veçanërisht në vendet e Evropës Qendrore. Treguesit e gjendjes së korrupsionit në Shqipëri tregojnë se ai është një problem, për të cilin mbetet shumë për të bërë. Banka Botërore ka operacione të ndryshme, si për shembull mbështetja për reformat strukturore. që ndërmerr qeveria për përmirësimin e politikave të menaxhimin dhe përdorimin e fondeve publike. I ashtuquajturi Projekti i Transparencës për Tiranën, synon ta bëjë qeverinë më transparente, që ajo ta sqarojë publikun, se si shpenzohen paratë. Këtu do të thoja se përpjekjet kanë qenë shumë të suksesshshme, prandaj Banka Botërore po shikon mundësinë ta zgjerojë më tej këtë program.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, cilat do të ishin disa nga sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare?

Tim Gilbo: Mendoj se veçanërisht që nga viti 1998, Shqipëria ka qenë tepër e sukseshme; një vend me një rritje vjetore ekonomike prej më tepër se 7 përqind në vit një shifër tepër e mirë, por do të thoja se nga kjo ka përfituar më tepër Tirana. Sfida tani mbetet se si nga kjo rritje ekonomike të përfitojnë edhe të varfërit në Shqipëri. Synimi ynë për nxjerrjen e njerëzve nga varfëria, nuk ka patur suksesin e nevojshëm. Do të thoja se gjatë 5-6 vjetëve të fundit Banka Botërore ka patur arritje të mëdha në Shqipëri, sfida mbetet se si ta vazhdojmë punën e nisur. Për këtë Banka po ndërmerr të ashtuquajturin memorandum ekonomik për Shqipërinë që është një studim që ka të bëjë me vlerësimin se ku duhet të përqëndrohen përpjeket tona për të ruajtur sukeset e arritura dhe me përcaktimin e rekomandimeve tona për politikat ekonmike që duhen ndjekur. Ky studim do të vazhdojë deri nga mesi i vitit dhe në përfundim, Banka Botërore do të përcaktojë fushat e ndihmës së saj për Shqipërinë gjatë 4 vjetëve të ardhshëm. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë përcaktohet pas diskutimit me përfaqësuesve të qeverisë dhe shoqërisë civile.

XS
SM
MD
LG