Lidhje

OKB: SHBA, Britania paraqesin rezolutë për Irakun - 2004-05-24


Shtetet e Bashkuara dhe Britania paraqitën sot një projektrezolutë në Kombet e Bashkuara ku mbështetet dhënia e sovranitetit një qeverie të përkohshme irakiane si dhe dhënia e një mandati nga OKB-ja forcave nën udhëheqjen amerikane në Irak pas transferimit të pushtetit më 30 qershor.

Rezoluta u paraqit zyrtarisht sot gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit në New York.

Sipas njoftimeve të shtypit projekt-rezoluta parashikon rishikimin e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare pas një viti, por nuk parashikon një datë se kur mund të përfundojë mandati i kësaj force. Njoftimet po ashtu venë në dukje se rezoluta do t’i kalojë në dorë të irakianëve të ardhurat nga shitjet e naftës, por do të krijojë një komision ndërkombëtar për të kontrolluar shpenzimin e të ardhurave nga nafta.

Paralelisht me këtë nismë të re diplomatike, po sot presidenti Bush do të mbajë një fjalim televiziv ku do të parashtrojë atë që Shtëpia e Bardhë po e quan “një strategji e qartë” për Irakun.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se fjalimi i sotëm në një universitet ushtarak në Pensilvani, do të jetë i pari, i disa fjalimeve të tilla presidenciale rreth Irakut gjatë 5 javëve të ardhshme.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti do të flasë rreth forcave amerikane që veprojnë si partnerë me forcat irakiane të sigurimit.

Fjalimi bëhet në një kohë kur mbështetja për politikat amerikane në Irak ka pësuar rënie javët e fundit si brenda edhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Anketat e fundit tregojnë se miratimi për presidentin po bie, ndërkohë që nga zgjedhjet e nëntorit mbeten më pak se 6 muaj.//ii

XS
SM
MD
LG