Lidhje

Debatet midis demokratëve dhe republikanëve në Kongres - 2004-05-25


Para se kongresi të fillonte pushimet një javore me rastin e Ditës së të Rënëve, demokratët dhe republikanët u mbërthyen përsëri në një betejë partiake lidhur me disa projekt-ligje të rëndësishme, ndërkohë që vazhduan debatin rreth mënyrës se si po e trajton administrata e presidentit Bush gjendjen në Irak.

Ndërkohë që amerikanët peshojnë ndikimin e çështjes kontraditore të abuzimit të të burgosurve irakianë dhe përballen me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të karburantit, ligjvënësit amerikanë shkëmbyen akuza të tjera se kush duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e përparimit në çështjet më të rëndësishme të politikës së brendshme.

Demokratët e opozitës i shfrytëzuan konferencat e shtypit për të kritikuar ashpër republikanët, që përbëjnë shumicën në kongres, lidhur me një gamë çështjesh, nga transporti tek energjia e deri tek përpjekjet e ngadalshme për të miratuar buxhetin federal për vitin financiar 2005.

Demokratët kritikuan gjithashtu republikanët dhe administratën e presidentit Bush lidhur me Irakun, ashtu siç veproi për shembull udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësusve, Nancy Pelosi.

“Udhëheqja e presidentit në hapat e ndërmarrë në Irak flet për mungesë kompetence për sa i përket njohjes, gjykimit dhe përvojës në marrjen e vendimeve që do të ishin të domosdoshme për të përmbushur më së miri misionin pa vdekjet në radhët e trupave tona dhe pa koston për taksapaguesit tanë.”

Vënia prej saj në pikpyetje e kompetencës së presidentit provokoi një përgjigje të ashpër nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësusve, republikani Dennis Hastert, i cili tha se me këto komente zonja Pelosi e kaloi kufirin.

Por ishin çështjet e brëndshme, veçanërisht ngritja e çmimeve të energjisë, rreth të cilave demokratët i përqëndruan kritikat e shumta.

Një ditë pasi presidenti Bush fajësoi për çmimet e larta të karburantit bllokimin nga demokratët të një projekt-ligji të rëndësishëm mbi energjinë, demokratët u kundërpërgjigjën. Ja si u shpreh Steny Hoyer.

“Grindjet mes republikanëve dhe refuzimi i tyre për të braktisur rendin e tyre ultra të djathtë kanë bërë që të bllokohet miratimi i buxhetit të vitit 2005, që është kyç për mbajtjen nën kontroll të deficitit, ngadalsoi shpenzimet e transportit, që do të krijonin miliona vende pune në tregun e ngadaltë të vendeve të punës, lejoi Bashkimin Evropian që të vendosonte gjoba prej miliarda dollarësh për sektorin amerikan të prodhimit dhe ngadalsoi procesin e miratimit të projekt-ligjit mbi energjinë në një kohë çmimesh rekord të karburantit.”

Mosmarrëveshjet mes republikanëve kanë qënë më të theksuara në çështjen e buxhetit dhe atë të energjisë. Ka pasur gjithashtu tensione midis udhëheqjes republikane në Dhomën e Përfaqësusve dhe Shtëpisë së Bardhë.

Vizita e presidentit Bush para pak ditësh në kongresin amerikan ishte një përpjekje si për të qetësuar mosmarrëveshjet mes republikanëve ashtu edhe grindjes mes demokratëve, të cilat u vunë re në konferencat e tyre për shtyp.

Lidhur me çështjet e energjisë, kritika më e ashpër për presidentin u bë nga senatori demokrat, Robert Byrd.

“Kur flitet për sigurimin e së ardhmes së energjisë së Amerikës, Shtëpia e Bardhë ka ngecur në disa nisma dritëshkurtëra dhe të rrezikshme, të cilat duket se udhëhiqen nga kontributet e mëdha në fushatë të disa kompanive të fuqishme. Megjithë retorikën e saj, fjalët e kota të Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetja e korporatave kanë qënë në thelb të politikës së saj të energjisë.”

Këto komente u pritën me përgjigjen e senatorit republikan, Pete Domenici, i cili i akuzoi demokratët për obstruksionizëm.

“Këto komente më habisin. Pra ju thoni se ne nuk gjetëm furnizime alternative me karburant. Ne nuk bëmë gjë për të parandaluar mundësinë e ndërprerrjes së elektricitetit. Ne nuk miratuam një projekt-ligj që do të prodhonte sasi të mëdha të gazit natyror në Amerikë. E kështu me radhë. U përsëritën të gjitha gjërat që tha senatori i nderuar Byrd e disa të tjera. Dhe që të flitet rreth faktit se vendi ynë ka nevojë për këto gjëra, ose se presidenti nuk bëri gjë në këto drejtime, është njësoj si të harrosh brënda një kohe fare të shkurtër faktin se të gjitha këto propozime janë bllokuar nga demokratët në këtë senat.”

Momentet e fundit para se anëtarët e Dhomës së Përfaqësusve të fillonin pushimet një javore pasqyruan një shembull tjetër të tensioneve partiake, edhe një herë lidhur me Irakun.

Në minutën e fundit, demokratët u përpoqën ta pengonin projekt-ligjin për shpenzimet e mbrojtjes, që përndryshe gëzonte mbështetjen ndër-partiake, duke shtuar një kërkesë që kongresi të hetojë keqtrajtimin e të burgosurve irakianë nga disa anëtarë të ushtrisë amerikane.

Këto përpjekje ishin të pasukseshme, dhe projekt-ligji, që përfshinte një shumë prej 25 miliardë dollarësh të kërkuar nga administrata e presidentit Bush për operacionet në Irak dhe në Afganistan, u miratua me një shumicë dërmuese votash, 391 pro dhe 34 kundër.

Tani senati duhet të miratojë versionin e tij të projekt-ligjit mbi shpenzimet e mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG